Futboll

Goli ndaj PSG-së e bën krenar shqiptarin e kategorisë së pestë

Kevis Gjeci

Kevis Gjeci e pranon se ka karrierë modeste si futbollist. Por, goli i shënuar ndaj Paris Saint-Germainit ka peshë të madhe për të. Edhe për klubin e panjohur francez, pjesë e të cilit është.

28-vjeçari luan për Espalyn, skuadrën e kategorisë së pestë të futbollit francez. PSG-ja, natyrisht, e fitoi 4:2 ndeshjen e 1/16 së finales së Kupës së Francës dhe avancoi tutje. Espaly dhe Gjeci u eliminuan, por paraqitja e tij dhe skuadrës u vlerësuan pozitive.

Gjeci e shënoi golin për 1:0 në minutën e tretë. Ai e dërgoi topin në rrjetë pas gjuajtjes me kokë. Ndjeu krenari, festoi me pasion e shqiponjë. Kjo ndeshje u zhvillua të mërkurën. 

“Ishte natë e paharrueshme. Fillon me gol përballë gjigantëve të PSG-së dhe për shumë minuta je në epërsi. Pastaj, ata janë lojtarë që nëse u lë hapësirën më të vogël, të ndëshkojnë menjëherë. Deri në minutën e 88-të, rezultati ishte 2:2. Lodhja fizike ishte faktori kryesor që PSG-ja shënoi dy gola në fund të ndeshjes. Ne nuk e fituam ndeshjen, por kemi fituar respektin e çdo tifozi në Francë. Personalisht, atë gol nuk do ta harroj kurrë”, ka thënë Gjeci të premten për KOHËN.

Ishte goli i tij i dytë në këtë edicion të Kupës së Francës. Kishte realizuar edhe kur skuadra e tij e kishte eliminuar Dijonin në raundin e pestë të garës. 

Gjeci tregon se në Francë dhe në shumë vende evropiane, e sidomos ku ka shqiptarë, goli është pritur mirë. Ai ka pritur gjatë që të shfaqet në skenë të madhe, ndonëse karriera e tij nuk është e tillë.

“Goli është pritur jashtëzakonisht mirë gjithandej. Ishte gol që çoi peshë me mijëra tifozë. U publikua në mediet më të mëdha evropiane. Kjo më bën krenar. Nuk është vetëm goli që i hap rrugët drejt ekipeve profesioniste, por edhe paraqitja në tërësi. Tani jam në pritje të ofertave konkrete”, thotë Gjeci.

Gjeci e nisi karrierën në moshën gjashtëvjeçare te klubi FC DonBosko me trajnerin Mark Vataj. Si 15-vjeçar kaloi tek Olimpiku i Tiranës, e më pas ka qenë i grumbulluar edhe me grupmoshat e reja të Shqipërisë.

Karrierë bëri edhe te Sopoti, për të vazhduar në Zvicër e më pas në Francë, tek Espaly.

Ai është tifoz i madh i Interit të Italisë. Tregon se e sheh ekipin e zemrës shpesh edhe në stadium. Te kjo skuadër ka luajtur edhe Achraf Hakimi, që tani aktivizohet te PSG-ja. Ai kishte bërë postim në “Instagram” për një përballje të mundshme me Hakimin dhe ëndrrën e kthyer në realitet.

Trajneri i PSG-së, Luis Enrique, i dha pushim marokenit dhe përballja Gjeci – Hakimi nuk ndodhi.

Gjeci megjithatë u përball me yje të tjera të futbollit si Lucas Hernandez, Warren Zaire-Emery, Fabian Ruiz e Bardley Barcola, në ndeshjen bindshëm më të madhe të karrierës së tij.