Vendimi i përzgjedhësit të Kosovës, Franco Foda, për ta larguar nga fusha Edon Zhegrovën, habiti të gjithë. Por vendimi i Fodës për ta zëvendësuar një prej lojtarëve më të mirë të Kosovës dhe në vend të tij ta aktivizojë Emir Sahitin, doli i qëlluar. Sulmuesi i gjigantit gjerman, Hamburg, arsyetoi besimin e dhënë nga Foda.
Tri minuta pasi u inkuadrua në fushë, Sahiti shënoi golin e tretë për Kosovën që mposhti Qipron 3:0 të martën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Goli i shënuar në Ligën e Kombeve për Sahitin ishte i pari me fanellën e Kosovës.
Sahiti është i lumtur për golin e realizuar, ndërsa shpreson që ta ndihmojë Kosovën me gola edhe në ndeshjet e radhës
“Fillimisht që i kemi fituar tri ndeshjet, nëntë pikë nuk janë pak. Është ndjenjë e mirë kur fiton me Kombëtare. Por është edhe një ndjenjë shumë e mirë kur shënon për kombin tënd dhe jam shumë i lumtur që kemi fituar, që kam shënuar gol. Shpresoj dhe do Zoti që sa më shumë t’i ndihmoj Kombëtares të shkojë përpara. Kemi lojtarë shumë të mirë, sidomos këta që luajnë në klube të mëdha. Kemi një grup ku atmosfera është pozitive. Në çdo ditë jemi kënaqur, si në ushtrime, ashtu edhe në lojë”, ka thënë Sahiti të premten për KOHËN.
Ai thotë se goli i shënuar për Kosovën do të shërbejë si motiv për të ndihmuar me gola edhe Hamburgun.
“Për gol çfarë të them, goli është i veçantë, sidomos kur shënon për shtetin tënd. Normal që pasi jam kthyer te Hamburgu e kam pasur një motivim më shumë. Edhe në stërvitje ndihesha shumë më mirë për shkak se vija prej Kombëtares dhe kisha shënuar gol. Nuk është lehtë. Të jep motivim edhe më të madh për të ushtruar më fort. Po ndihem shumë, shumë mirë”, është shprehur Sahiti.
Sulmuesi 25-vjeçar vendosi ta përfaqësojë Kosovën nga viti 2022. Para se t’i bashkohej Kosovës, Sahiti luajti 11 ndeshje për Shpresat e Shqipërisë.
Ai ka folur edhe për dy ndeshjet e fundit të edicionit të katërt të Ligës së Kombeve, të cilat Kosova i luan në nëntor. Fillimisht përballet ndaj Rumanisë në Bukuresht e më pas në Prishtinë kundër Lituanisë.
Përballja ndaj rumunëve vlerësohet finale për “Dardanët”.
“Secili lojtar që është në Kombëtare, është profesionist. Dhe ne duhet të shikojmë vetëm fushën dhe jo të biem në provokime. Normalisht se do të ketë provokime, por ato mbesin jashtë. Në fushë duhet ta tregojmë veten ne. Duhet ta japim maksimumin. Duhet të shkojmë për të fituar. Duhet ta shikojmë vetëm lojën tonë dhe të mundohemi të shënojmë 3-4 gola, pse jo. Futbollit nuk i dihet kurrë. Shpresoj që ky grup që kemi qenë të jetë mirë dhe pa lëndime, të jemi të përgatitur. Duhet t’i analizojmë edhe kundërshtarët mirë. Nuk është lojë e lehtë. Është lojë shumë e fortë. Rumania e ka një ekip shumë të mirë. Por duhet ta shikojmë veten dhe ta japim maksimumin në fushë. Duhet të jemi të bashkuar, sepse kur jemi të bashkuar, mund të bëjmë gjithçka. Mendimi i secilit është të shkojmë dhe të kthehemi me rezultat pozitiv. Pastaj na pret loja e dytë me Lituaninë. Me rëndësi është që të fokusohemi te loja e parë. Nuk do të jetë e lehtë, por duhet ta bëjmë maksimumin për të fituar”, është shprehur Sahiti.
Ai ka luajtur pesë ndeshje për Kosovën, ndërsa ëndërron të paraqitet në ndonjë ngjarje të madhe. Si i ri, Sahiti luajti në Kosovë, ndërsa aktualisht është pjesë e gjigantit gjerman, Hamburg.
“E kam filluar rrugëtimin prej Ramiz Sadikut, pastaj te Prishtina e kështu me radhë. Por, secili lojtar dëshiron të luajë në pesë ligat më të forta në Evropë. Këtë ëndërr e kam. Ëndrra e dytë është të kualifikohemi dhe të kemi sa më shumë rezultate pozitive me Kombëtaren dhe të kualifikohemi në ngjarje të mëdha. Shpresoj që një ditë këto të realizohen. Për secilin lojtar ky është motiv”, ka thënë ai.
Sahiti është i bindur se Kosova ka lojtarë cilësorë për t’u kualifikuar në një ngjarje të madhe.
Ai shpreson ta japë kontributin e tij për t’u paraqitur në Evropian apo Botëror. Shpreson po ashtu të luajë edhe me Hamburgun në Bundesligë. Thotë se i është bërë pritje e ngrohtë.
Sahiti Hamburgut iu bashkua në verë nga Hajduku i Splitit. Ka luajtur edhe për Rabotniçkin në Maqedoni të Veriut. Emiri është vëllai i vogël i Suad Sahitit, po ashtu futbollist.
“Hamburgu është klub i madh. Të gjithë e dinë se çfarë klubi është Hamburgu, çfarë lojtarë kanë luajtur. E kemi synimin të hyjmë në Bundesligë këtë edicion. E kemi skuadrën shumë të mirë, me eksperiencë. Ka edhe lojtarë të rinj. Shpresojmë që të inkuadrohemi në Bundesligë. Klubi është shumë i madh, me tifozë, me traditë. Më kanë pritur shumë mirë, si trajneri, ashtu edhe lojtarët. Po ndihem shumë mirë. Kam tri ndeshje që kam luajtur. Tashmë më ka mbetur ta tregoj veten në çdo ndeshje. Por gjithçka ka shkuar mirë deri tani”, ka thënë Sahiti.
Ai pranon se konkurrenca është e madhe. Por insiston se Hamburgu meriton të jetë pjesë e Bundesligës gjermane.
Me Hamburgun, Sahiti ka kontratë deri në qershor të vitit 2027.