Futboll

Goli i Muriqit nuk i mjafton Mallorcas, Barça fiton 5:1

Barcelona

Vedat Muriqi është kthyer me gol te Mallorca. Por goli i sulmuesit të Kosovës nuk i mjaftoi as për së afërmi Mallorcas, të martën mbrëma.

Mallorca pësoi humbje të thellë, 5:1, nga Barcelona. Ndeshja ishte e vlefshme për xhiron e 19-të të La Ligas spanjolle.

Në minutën e 43-të, Vedat Muriqi mori top të mirë në zonë dhe e shtyu atë në rrjetë për 1:1. Kishte dyshime nëse aksioni u ndërtua në pozitë jashtë loje, por VAR-i konfirmoi golin e Muriqit. Për prizrenasin është goli i tretë i edicionit në kampionatin spanjoll. Ka edhe një asistim në 12 paraqitje.

30-vjeçari mungoi në ndeshjen e kaluar të Mallorcas. Ishte i suspenduar për shkak të kartonit të kuq në takimin ndaj Las Palmasit.

Derisa Mallorca kishte dy fitore rresht në La Liga, Barcelona ishte pa fitore në tri ndeshjet e fundit kampionale. Humbi 1:0 nga Real Sociedadi, barazoi 2:2 me Celta Vigon dhe humbi 2:1 nga Las Palmasi.

Dhe ndaj Mallorcas shfaqi forcën e saj të vërtetë.

Ferran Torres shënoi për 1:0 që në minutën e 12-të.

Në pjesën e dytë shkëlqeu Raphinha. Ai shënoi për 2:1 në minutën e 56-të. Konkretizoi penalltinë që e siguroi Lamine Yamal. Në minutën e 74-t, Yamali asistoi për Raphinhan që shënoi për 3:1. Frenkie de Jong shënoi golin e katërt të Barçës në minutën e 79-të, ndërsa në minutën e 84-t realizoi edhe Pau Victor.

Barcelona i ka 37 pikë në vendin e parë. Ka luajtur 16 ndeshje. 33 pikë nga 14 ndeshje i ka Real Madridi. Mallorca është e gjashta me 24 pikë, po ashtu nga 16 ndeshje.

Lexo përditësimet tjera
Vedat Muriqi

Muriqi shënon gol ndaj Barcelonës

Vedat Muriqi është kthyer fuqishëm te Mallorca.Ai shënoi gol në ndeshjen ndaj Barcelonës, që ka filluar...