Futboll

Dukagjini fiton me rikthim të rezultatit ndaj Suharekës

dukagjini

Ndeshje të vështirë por shumë të rëndësishme ka fituar Dukagjini i Klinës në garën për mbetje në elitën e futbollit kosovar. 

Klinasit të shtunën gjatë ditës në stadiumin e qytetit në Suharekë, e mposhtën skuadrën e Suharekës me rikthim të rezultatit, 2:1. 

Ndeshja i ka takuar xhiros së 20-të të Superligës së Kosovës. 

Ishin dy gola të sulmuesit të krahut, Altin Merlaku, që ia siguruan pikët e plota skuadrës së drejtuar nga trajneri Ismet Munishi, që ishte pa fitore prej 20 dhjetorit. 

Në stinorin pranveror, Dukagjini u mposht nga Ballkani, ndërsa në Kupën e Kosovës në mesjave, u eliminua nga Drita pas ekzekutimit të penalltive (5:4). 

Suhareka që në xhiron e parë të stinorit pranveror barazoi me Prishtinën 2:2 e më pas u eliminua pikërisht nga kjo skuadër në Kupën e Kosovës pas humbjes 4:0, kaloi në epërsi në minutën dytë shtesë të pjesës së parë. 

Fitim Susuri përfitoi nga një reagim jo i mirë i mbrojtjes mysafire dhe e plasoi topin në portën e portierit Cyrus Margono. 

Vendësit pretenduan në pjesën e parë se iu bë e padrejtë pas një ndërhyrjeje në Leart Eminin, që sipas tyre, është dashur të ndëshkohej direkt me të kuq pasi ishte shumë e rrezikshme. 

Në pjesën e dytë, Dukagjini u kthye në lojë me golin e Merlakut që shënoi për 1:1 në minutën e 73-të. 

Kapiteni i klinasve tre minuta më pas, realizoi supergol nga goditja e dënimit për 2:1 dhe për pikët e plota. 

Suhareka nga minuta e 83-të mbeti pa qendërmbrojtësin Kemal Osmankoviq, që u përjashtua nga loja pas kartonit të dytë të verdhë. 

Ekipi i drejtuar nga trajneri Qëndrim Kida nuk e pati më forcën për t’u kthyer në lojë dhe e pësoi humbjen e dytë në tri ndeshjet e fundit në elitë. 

Dukagjini me këtë fitore ka 24 pikë në vendin e shtatë, një më shumë se Ferizaj që e ka një ndeshje më pak të luajtur. 

Suhareka në pozitën e pestë ka 26 pikë, dy më shumë se Gjilani që po ashtu e ka një ndeshje më pak të zhvilluar. 

Gjilani luan të dielën ndaj Ballkanit, ndërsa Ferizaj udhëton te Malisheva të martën. 

Të dielën luhet edhe ndeshja mes Feronikelit 74 dhe Llapit.


Dy gola të shpejtë në Suharekë, Dukagjini në epërsi

Dukagjini i ka shënuar dy gola brenda gjashtë minutash ndaj Suharekës, për ta përmbysur rezultatin në të mirë të vet. 

Golat për skuadrën nga Klina i shënoi sulmuesi i krahut, Altin Mërlaku. 

Kapiteni i Dukagjinit realizoi fillimisht për 1:1 në minutën e 73-të. 

Për 2:1 shënoi nga faulli, në minutën e 76-të.


Gol në Suharekë, përfundon pjesa e parë

Me golin e minutës së dytë shtesë në pjesën e parë të shënuar nga Fitim Susuri, është mbyllur pjesa e parë e ndeshjes Suhareka – Dukagjini.

Suhareka është duke fituar ndaj skuadrës klinase, në ndeshjen e xhiros së 20-të që po zhvillohet në stadiumin e qytetit në Suharekë.

Mbrojtja e Dukagjinit nuk reagoi mirë dhe nga situata e krijuar përfitoi Susuri që e mposhti portierin indonezian të klinasve, Cyrus Margono.

Goli i Susurit u konfirmua pas rishikimit të situatës në VAR.