Futboll

Gjykata spanjolle rrëzon vendimin për dënimin e Dani Alvesit për përdhunim

alves

Gjykata spanjolle e apelit e ka rrëzuar të premten vendimin për dënimin e ish-futbollistit brazilian Dani Alves për përdhunim, me arsyetimin se gjykimi i tij i parë ishte bërë me “mangësi” dhe “pasaktësi”. 

Alvesi ishte dënuar me katër vjet e gjysmë burgim në muajin shkurt të vitit të kaluar, për përdhunimin e një vajze në dhomën VIP të një klubi nate në Barcelonë, më 31 dhjetor të vitit 2022. 

41-vjeçari, i cili e fitoi Ligën e Kampionëve tri herë me Barcelonën, u lirua nga burgu në marsin e kaluar dhe ishte në pritje të apelit, pasi pagoi garanci prej 1 milion eurove, shifër e vendosur nga gjykata. 

Katër gjykatësit unanimisht e kanë pranuar ankesën e futbollistit dhe e kanë anuluar vendimin për dënimin e tij. 

Alves ishte gjashtë herë kampion në La Liga me Barcelonën, ndërsa pati 126 paraqitje për Brazilin duke e fituar dy herë Kupën e Amerikës. 

Alves ka fituar tituj të ligave edhe me Juventusin e Paris Saint-Germainin.