Futboll

Gjilani synon t’i kthehet fitores, Ferizaj ta vazhdojë serinë pozitive

Stervitja e lojtarëve te Gjilanit

Trajneri i Gjilanit, Ardian Nuhiu thotë se fitorja ndaj Ferizajt mund të arrihet vetëm nëse lojtarët e tij do të luftojnë fort në fushë. Ai ka theksuar se pushimi gjatë ndeshjeve të përfaqësueseve e ka shfrytëzuar për të analizuar me detaje Ferizajn.

Ndeshja Gjilani–Ferizaj hap javën e nëntë të Superligës së Kosovës në futboll. Zhvillohet të premten në fushën me bar sintetik dhe nis në orën 13:00. Gjilani është në vendin e shtatë me nëntë pikë, kurse një pozitë më poshtë me një pikë më pak është Ferizaj.

“Ndeshemi me një kundërshtar që ka në përbërje futbollistë cilësorë dhe shumë të shpejtë. Kemi shfrytëzuar pauzën e kombëtareve për të analizuar ekipin kundërshtar dhe për ta përgatitur këtë ndeshje, për të cilën duhet të japim më shumë se maksimumin, të sakrifikojmë dhe të luftojmë për të marrë maksimumin e ndeshjes që të kemi ecuri dhe vazhdimësi të rezultateve pozitive”, ka thënë Nuhiu.

Gjilani në ndeshjen e fundit barazoi pa gola në derbin kundër Dritës, ndërsa Ferizaj mposhti Dukagjinin me shifrat 2:1.

Trajneri i Ferizajt, Arsim Abazi vlerëson Gjilanin. Por thotë se në Gjilan udhëtojnë për rezultat pozitiv.

“Do të shkojmë në Gjilan për të luajtur lojë të hapur dhe të kërkojmë rezultat pozitiv edhe pse e dimë që kemi përballë një ekip mirë të organizuar me lojtarë cilësorë. Por ne do të kërkojmë rezultat pozitiv. Kemi pasur një seri jo të mirë të rezultateve, edhe pse kemi luajtur shumë mirë, kemi krijuar shumë raste, por nuk kemi arritur rezultate pozitive. Fitorja në ndeshjen e fundit ndaj Dukagjinit na ka dhënë motiv shtesë për të vazhduar me rezultate pozitive. Lojtarët janë shumë të motivuar dhe pres angazhim maksimal, që nesër të mos mposhtemi në atë ndeshje edhe pse e dimë që kemi përballë kundërshtar të mirë”, ka thënë Abazi.

Të shtunën në Malishevë përballen Malisheva dhe Prishtina, kurse në Drenas, skuadra e Feronikelit 74 e pret Dritën.

Të dielën luhet derbi i Suharekës, mes Ballkanit dhe Suharekës, kurse Dukagjini e pret Llapin në Klinë.

Tabela

1. Malisheva    8    5    2    1    15:9    17
2. Ballkani    8    4    2    2    13:6    14
3. Llapi    8    4    2    2    10:5    14
4. Prishtina    7    4    1    2    12:6    13
5. Drita    6    4    1    1    9:4    13
6. Suhareka    7    4    1    2    10:9    13
7. Gjilani    8    2    3    3    11:11    9
8. Ferizaj    8    2    1    5    7:15    7
9. Dukagjini    8    2    0    6    7:16    6
10. Feronikeli 74    8    0    1    7    3:16    1