Gjeorgjia është përfshirë nga protesta dhe trazira politike, por ka një gjë që të gjithë e mbështesin: ekipi përfaqësues i futbollit.
E udhëhequr nga lojtari i krahut i Napolit, Khvicha Kvaratskhelia, përfaqësuesja e Gjeorgjisë është e vetmja në mesin e 24 përfaqësueseve në Euro 2024 që nuk ka luajtur më parë në Kampionat Evropian.
Gjeorgjia e mposhti Greqinë në muajin mars për të arritur në turneun e parë të madh që nga pavarësimi prej Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Fitorja solli momente gëzimi për gjeorgjianët. Fusha u pushtua nga tifozë me flamuj, ndërsa festa zgjati deri natën vonë në Tbilisi.
“Mendoj se këtë kualifikim njerëzit në Gjeorgji e kanë pritur për dekada dhe ishte moment shumë i bukur për të festuar të gjithë së bashku”, ka thënë trajneri francez i Gjeorgjisë, Willy Sagnol.
“Nuk ishte vetëm bota e futbollit në vend, ishte i gjithë vendi. Të rinjtë e të vjetrit kanë festuar së bashku dhe ishte me të vërtetë një moment që nuk do ta harroj kurrë”, ka shtuar Sagnol.
Prej atëherë, turmat e mëdha ishin për protesta. Demonstratat që po zgjasin për javë të tëra kanë vënë përballë mbështetësit e opozitës kundër qeverisë. Protestuesit e kundërshtojnë atë që quhet “ligji rus”, që vlerësohet se do të kufizonte mediat në vendin me 3,7 milionë banorë në Kaukazin Jugor dhe do të zvogëlonte gjasat për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian.
Sa i takon futbollit, Gjeorgjia është autsajdere e qartë e Grupit F, ku janë edhe Portugalia e Cristiano Ronaldos, Turqia dhe Çekia. Një fitore befasuese mund të jetë e mjaftueshme për të kaluar në fazën nokaut.
Ekipet rivale sigurisht do të mundohen të “nxjerrin” jashtë loje Kvaratskehelian, yllin e Napolit. Por kjo nuk do të jetë e lehtë.
“Khvicha është lojtar i veçantë. Ai ka pasur një zhvillim të jashtëzakonshëm në dy vjetët e fundit. Por ka mbetur i njëjti, ka mbajtur shkallën e motivimit shumë lartë”, ka shtuar selektori Sagnol. Francezi si lojtar ishte te Bayerni dhe di çdo gjë për futbollin elitar.
“Ai është shembull për të gjithë. Është lider fantastik”, ka vazhduar Sagnoli lavdet për lojtarin më të mirë e më të njohur gjeorgjian.
Gjeorgjia i ka vetëm tre lojtarë në top-ligat evropiane. Aty është edhe Giorgi Mamaradashvili i Valencias, i vlerësuar një nga portierët më premtues në botë dhe sulmuesi i Metzit, Georges Mikautadze.
Në listën prej 26 lojtarëve të Gjeorgjisë, ka emra nga klube të plot 17 vendeve të ndryshme.
Flamuri gjeorgjian është i ri në turnetë e mëdhenj, por jo edhe lojtarët gjeorgjianë.
Tre gjeorgjianë ishin në ekipin e Bashkimit Sovjetik që fitoi Evropianin e parë në vitin 1960. Skuadra gjeorgjiane Dinamo Tbilisi ka fituar Kupën e Fituesve të Kupave në vitin 1981.
Pas pavarësimit, Gjeorgjia kishte lojtarë të talentuar, por jo mjaftueshëm sa që përfaqësuesja të jetë konkurrente. Tani është në Evropian, por me gjasa minimale për të avancuar nga grupi.
“Ambicia është vetëm të japim më të mirën. Nuk do të fokusohemi te rezultati por te paraqitja në fushë”, ka theksuar Sagnol, i vetëdijshëm për forcën e përfaqësueseve tjera në grup.