Pa Lionel Messin. Pa Cristiano Ronaldon.
Kur “Topi i Artë” do të prezantohet në ceremoninë madhështore në Paris të hënën, do të duket si epokë e re e futbollit. Do të ketë edhe ndjenjë zbrazëtie pasi njëri prej rivalitetit më të madh në sport, thuajse ka mbaruar.
“Interesante është se gjithçka që nis e ka një mbarim, por të shohim se cili do të jetë rivaliteti i ardhshëm”, thotë Jonathan Wilson për “Associated Press”.
Messi dhe Ronaldo e kanë fituar çmimin prestigjioz individual të futbollit 13 herë në 16 edicionet e fundit me dominim të jashtëzakonshëm. Asnjëri prej tyre nuk është i nominuar përta fituar “Topin e Artë”. Ceremonia nis në orën 20:00.
Në fakt, Vinicius Junior i Real Madridit është favoriti për ta fituar epitetin e lojtarit më të mirë në botë dhe të bëhet fituesi i parë që u lind në këtë shekull.
Epitetin e favoritit e fitoi javën e kaluar me “hat-trickun” kundër Borussia Dortmundit në Ligën e Kampionëve.
“Viniciusi pati sezon të jashtëzakonshëm dhe ka qenë lojtar vendimtar. Ai e ka treguar se është më i miri në botë”, ka thënë Lucas Vazquez, bashkëlojtar i tij te Real Madridi.
Ylli i madh francez, Zinedine Zidane, e ka fituar këtë çmim një herë. Njësoj ka qenë edhe për Ronaldinhon, Rivaldon, Luis Figon, George Bestin. Në shumicën e rasteve çmimi është fituar nga lojtarët evropianë, ndërsa nuk është fituar asnjëherë nga Pele apo Diego Maradona.
Para Messit, lojtari i fundit që e ka fituar çmimin dy herë rresht ishte sulmuesi holandez, Marco van Basten, në vitin 1988 dhe 1989.
Messi e mban rekordin. “Topin e Artë” për herë të tetë e fitoi vitin e kaluar, pasi e udhëhoqi Argjentinën në triumfin në Kupën e Botës 2022.
“Messi ka qenë fenomenal për 17, 18 vjet”, thotë Wilson, autor i librave për futboll. “Messi është më i madhi ndonjëherë”, ka thënë ndër të tjera ai.
“Nuk mendoj se dikush në botë i afrohet talentit të tij”.
Kështu ka qenë dominimi i Messit dhe Ronaldos.
Vinicius Junior ndihmoi Madridin me gola drejt trofeut të 15-të të Ligës së Kampionëve të edicionit të kaluar, është pjesë e gjeneratës së yjeve që po shkëlqejnë, derisa Messi dhe Ronaldo kanë arritur në fazën finale të karrierës.
Kylian Mbappe, Erling Haaland, Jude Bellingham dhe Lamine Yamal, mund të jenë kandidatët në vitet e ardhshme.
Mesfushori i Manchester Cityt, Rodri, është favoriti i dytë për ta fituar çmimin këtë vit dhe do të bëhej lojtari i parë i lindur në vitet e ‘90 që e fiton epitetin e më të mirit.
Mbappe, i cili për kohë të gjatë ka qenë nën hijen e Messit dhe Ronaldos si lojtari më i mirë në botë, u lind në vitin 1998.
Fituesit e vetëm qëkur Ronaldo e fitoi “Topin e Artë” në vitin 2008, ishin Luka Modriq në vitin 2018 dhe Karim Benzema në vitin 2022. Që të dy u lindën në vitet e 80-ta.
Ceremonia e këtij çmimi nuk u mbajt në vitin 2020, kur Robert Lewandowski vlerësohej si më i miri i atij viti. Edhe ai ishte i lindur në vitet e ‘80.
Neymari, i lindur në vitin 1992, ishte i treti në dy raste.
“Ballon d’Or” u krijua nga revista “France Football”, dhe çmimi jepet prej vitit 1956. Votohet nga gazetarë prej 100 shteteve që janë anëtare të FIFA-s.
Secili gazetar, nga një prej secilit shtet, i zgjedh 10 futbollistë dhe i jep pikët secilit. Fitues është ai që mbledh më së shumti vota.
Dominimi i Messit dhe Ronaldos në vitet e mediave sociale, e ka ngritur rëndësinë e çmimit.
Lojtarët ëndërrojnë për këtë çmim, njësoj siç kanë folur më parë për Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Botës.
Fitimi i këtij çmimi më pas përdoret për negociata në transferime, kontratat janë më të mëdha në aspektin financiar.
Përderisa Viniciusi është favorit, Mbappe – Haaland, mund të jetë rivaliteti i ardhshëm për çmimin e lojtarit më të mirë.
Që të dy kanë qenë prej më të mirëve në vitet e fundit.
Autori i librit “Më të mirët e gjitha kohëve”, Matt Oldfield, ka thënë se për Mbappen e Haalandin, do të flitet gjatë.
“Njerëzit duan ta thjeshtësojnë dhe ta krahasojnë një lojtar me dikë, dhe mendoj se debati Mbappe-Haaland, do të jetë zgjasë shumë”.
“Më të mirët e gjitha kohëve” u është kushtuar Messit dhe Ronaldos. I ardhshmi mund të jetë Mbappe dhe Haaland.
“Jemi duke lënë prapa Messin dhe Ronaldon tani”, ka thënë ai.