Plot gjashtë futbollistë shqiptarë janë ftuar nga selektori i Zvicrës, Murat Yakin, në përgatitjet për Euro 2024. Por vështirë se të gjithë ata do të jenë në Evropianin që fillon pas një muaji në Gjermani.
Pos Granit Xhakës e Xherdan Shaqirit të zakonshëm, janë ftuar edhe Uran Bislimi, Andi Zeqiri, Ardon Jashari e Albian Hajdari.
Tashmë rregullisht po ftohet edhe mesfushori Bislimi. Dhe gjasat janë të mëdha që Xhaka, Shaqiri e Bislimi të jenë në Evropian, ndërsa tre të tjerët i pret luftë e madhe për vend në ekipin që do ta përfaqësojë Zvicrën në “Euro 2024” në Gjermani.
Yakin të premten bëri publike listën, ku janë plot 38 emra. Ekipi final i Zvicrës do të caktohet më 7 qershor. Shumë prej lojtarëve nuk do të jenë në fillim të kampit përgatitor, duke përfshirë Shaqirin, Xhakën, Zeqirin, Bislimin e Hajdarin. Për shkak të obligimeve në klubet e tyre, ata do të bashkohen me përfaqësuese më vonë.
Në përgatitje fillimisht do të jenë 21 lojtarë, ku përfshihen edhe dy portierë. Përgatitjet e Zvicrës fillojnë të hënën në St. Gallen.
“Pasi shumë veteranë nuk janë në dispozicion për shkak të obligimeve në klubet e tyre, disa lojtarë të rinj janë ftuar në parakamp. Ata do të kenë rastin të tregojnë veten dhe nëse është e nevojshme ta shtyjnë veten drejt Evropianit”, ka thënë Yakin.
Lojtarët, që nuk grumbullohen të hënën, priten më 31 maj e ndonjë si Shaqiri deri më 3 qershor, kur edhe fillon zyrtarisht grumbullimi për Euro 2024.
Do të ketë dy reduktime të ekipit te Zvicra. Fillimisht disa lojtarë do të largohen pas ndeshjes miqësore me Estoninë, që është më 4 qershor në Luzern. Të tjerët do të largohen një ditë para miqësores me Austrinë, që është më 8 qershor në St. Gallen. Pra për atë miqësore do të jenë futbollistët që do të udhëtojnë për në Gjermani.
Ndonëse ka të drejtën e 26 lojtarëve, Yakin ka bërë të ditur se do t’i marrë në Gjermani 24 lojtarë gjithsej, ku përfshihen tre portierë. Breel Embolo e Denis Zakaria, që janë të lënduar, do të priten deri në momentin e fundit.
“Synimi ynë i parë është të dalim nga grupi shumë i vështirë. Shumë gjëra janë të mundura në grup”, ka thënë Yakin.
Sipas tij, struktura e ekipit dihet dhe ajo përbëhet nga 16 apo 17 lojtarë. Pra pak vende janë në dispozicion për t’u plotësuar.
Yakin ka thënë se dy prej lojtarëve më të rëndësishëm të Zvicrës, kapiteni Granit Xhaka dhe Manuel Akanji do të mund të luajnë në dy miqësoret para Evropianit. Xhaka e Akanji kanë pasur një edicion shumë të gjatë e shumë të ngarkuar. Xhakën ende e presin edhe tri ndeshje shumë të rëndësishme, dy prej tyre finale.
“Duke i njohur djemtë, ata do të dëshirojnë të luajnë. Graniti dhe Manueli gjithnjë dëshirojnë të luajnë. Qartë se mund të provojmë diçka të re ndaj Estonisë. Por lojtarët e dëshmuar kanë prioritet dhe qartë se unë do t’i shfrytëzoj ata”, ka thënë Yakin.
Zvicra është në Grupin A të Evropianit së bashku me Gjermaninë, Skocinë e Hungarinë. Më 15 qershor luan ndaj Hungarisë, më 19 qershor ndaj Skocisë e më 23 qershor ndaj Gjermanisë.
Mesfushori 21-vjeçar i Luzernit, Ardon Jashari, i ka dy ndeshje për Zvicrën A. Nuk është ftuar nga shtatori i vitit të kaluar, ndërsa nuk ka luajtur nga Botërori në Katar në vitin 2022. Bislimi është 24-vjeçar dhe është mesfushor që luan për Luganon. Më herët ishte te Kosova, ndërsa tani i ka dy ndeshje për Zvicrën. Së fundi po ftohet rregullisht.
Sulmuesi 24-vjeçar i Genkut, Andi Zeqiri, për Zvicrën i ka 11 ndeshje. Së fundi luajti në nëntor të vitit të kaluar. Albian Hajdari është mbrojtës 20-vjeçar i Luganos. Në përfaqësuesen A u ftua për herë të parë. Së fundi ishte te Zvicra U21.
Xhaka është kapiten dhe lojtari me më së shumti paraqitje në histori të Zvicrës, plot 123. Shaqiri është menjëherë i dyti sa i takon paraqitjeve me 121. Xhaka e Shaqiri janë lojtarët kryesorë të Zvicrës, sidomos në ngjarjet e mëdha. Kështu pritet të jetë edhe në Gjermani.