Futboll

Gavi nuk ftohet nga Spanja, Asencio merr ftesën e parë

gavi

Mbrojtësi i Real Madridit, Raul Asencio, e ka marrë ftesën e parë te Përfaqësuesja e Spanjës nga përzgjedhësi Luis de la Fuente, për dy ndeshjet që Spanja do t’i luajë në çerekfinale të Ligës së Kombeve ndaj Holandës. 

22-vjeçari Asencio është produkt i Akademisë së Realit dhe ka zhvilluar 14 ndeshje në La Liga e tetë të tjera në Ligën e Kampionëve në edicionin aktual. 

“Rauli ka pasur edicion të shkëlqyer. Ai ka qenë pjesë e kategorive më të ulëta të futbollit, por disa lojtarë e kanë zhvillimin e shpejtë”, ka thënë De La Fuente. 

Mbrojtësi Inigo Martinez u përfshi në listë për këto dy ndeshje, pasi ishte lënë jashtë “Euro 2024”. 

Megjithatë, mungon mesfushori i Barcelonës, Gavi, që e ndihmoi Spanjën ta fitonte Ligën e Kombeve në vitin 2023.

20-vjeçari pritej të kthehej në përfaqësuese pas 14 muajsh mungesë për shkak të lëndimit të ligamentit kryqëzor. 

Në listë nuk është as Marco Asensio i cili ka shënuar shtatë gola në tetë paraqitje qëkur iu bashkua Aston Villas si i huazuar nga Paris Saint-Germaini. 

Spanja luan ndaj Holandës në udhëtim të enjten, ndërsa në Valencia i pret holandezët më 23 mars.