Futboll

Gara e fortë e futbollistëve të Kosovës për Bundesligë

Leart Paqarada

Leart Paqarada

Emir Sahiti po luan rregullisht te Hamburgu dhe vlerësohet i rëndësishëm te skuadra e njohur gjermane. I rëndësishëm është edhe Leart Paçarada për skuadrën e Kolnit. Fisnik Asllani i Elversbergut është kthyer në “makineri golash”. Dhe njëri prej tre lojtarëve që përfaqësojnë Kosovën, nëse jo dy apo ndoshta edhe tre, në edicionin e ardhshëm do të promovohet në Bundesligë. Hamburgu, Kolni e Elversbergu aktualisht janë në Bundesliga 2.

Dy skuadrat e para në fund të edicionit kalojnë në Bundesligë, derisa e treta luan në plejaut.

Hamburgu është lider me 52 pikë pas 29 xhirove. Ka një pikë më shumë se Kolni. Elversbergu ka 47 pikë në vendin e tretë, aq sa ka edhe Dusseldorfi në pozitën e katërt.

Gara në kategorinë e dytë të futbollit gjerman është e fortë. Këtë e kanë pranuar që të tre reprezentuesit e Kosovës. Në fakt Bundesliga 2 llogaritet kategoria e dytë më e fortë në futbollin evropian.

Emir Sahiti

Paçarada, që aktivizohet në krahun e majtë të mbrojtjes, qesh kur pyetet nëse ka biseduar me Sahitin apo Asllanin se kush i ka gjasat më të mira për ta siguruar elitën.

“Po, si jo. Kemi folur, kemi pasur ndeshje me njëri-tjetrin. Kemi biseduar për këtë çështje, kemi qeshur, por unë kam qenë goxha i sigurt që ne në fund do të jemi ata që do të qeshim. Edhe ata e dinë që Kolni, por edhe Hamburgu, kanë kualitet. Por Kolni e ka si detyrë për të hyrë në Bundesligë. Elversbergu dhe Fisniku e dinë që do ta kenë të vështirë, por luajnë pa presion dhe nuk i dihet kurrë. Edhe vendi i tretë për Elversbergun do të ishte një arritje shumë e madhe”, ka deklaruar Paçarada të premten për KOHËN.

Paçarada ka shtatë asistime dhe është në top-dhjetëshen e asistuesve më të mirë në ligë. Ai ka thënë se presioni është më i madh te Kolni dhe Hamburgu, dy skuadrat me bazë të madhe tifozësh.  

“Elversbergu është një ekip që mund të luajë me gjakftohtësi, pa presion, sepse nuk ka  çfarë të humbë. Kolni dhe Hamburgu në Gjermani janë prej ekipeve më të mëdha sa u përket medieve, presionit, shikuesve, stadiumit. Ne jemi në situatë ku kemi çfarë të humbim. Do të thotë presioni është te ne. Një ndeshje e humbur dhe diferenca e pikëve në tabelë bëhet edhe më e vogël. Janë disa ekipe të përafërta”.

Paçarada ka luajtur në 27 ndeshje. Vetëm tetë lojtarë kanë më shumë asistime se 30-vjeçari.

“Në ekipin tim më duket se nuk ka ndonjë lojtar tjetër që ka luajtur më shumë ndeshje sesa unë nga fillimi. Besimi që po më jep trajneri është mirë dhe mundohem në terren t’ia kthej me paraqitje të mira. Kam qenë shumë i lumtur dhe i gëzuar që edhe me Kosovën i kam pasur dy paraqitje të mira. Edhe aty kam pasur një periudhë goxha të vështirë. Jam i kënaqur. Po ta arrijmë edhe synimin, ngjitjen në Bundesligë, do të ishte një edicion shumë i mirë”, ka deklaruar Paçarada.

Ai ka folur edhe për formën e mirë të Fisnik Asllanit.

“Fisniku po bën sezon fenomenal. Sulmues shumë i fortë, 17 gola i ka bërë. Ka pasur ndeshje ku i ka mposhtur ekipet i vetëm”.

Fisnik Asllani

Sahiti dhe Asllani kanë thënë se synim i klubeve të tyre është ngjitja në Bundesligë, ndonëse e pranojnë se do të jetë shumë e vështirë.

“Kampionati në Bundesliga 2 është shumë i fortë. Ne shpresojmë që këtë vit të dalim në vendin e parë dhe të futemi në Bundesligë”, kishte thënë Sahiti për KOHËN në fund të janarit.

Sahiti këtë edicion e ka një gol e një asistim. Hamburgu nuk luan në Bundesligë prej vitit 2018, kur nuk e siguroi mbijetesën.

Bundesligën për herën e parë po e synon Elversbergu, që nuk shquhet për ndonjë sukses. Promovimin mund ta arrijë me Asllanin si sulmues kryesor. Asllani është i huazuar nga Hoffenheimi i Bundesligës deri në fund të edicionit.

Asllani, përveç 17 golave, ka kontribuuar edhe me pesë asistime. Aktualisht është sulmuesi i dytë me më së shumti gola në Bundesliga 2.

Të shtunën, Hamburgu luan derbin me Schalken në udhëtim, kurse Elversbergu e pret Dusseldorfin. Kolni të dielën në shtëpi ballafaqohet me Preussen Munsterin. Çdo gabim mund t’i kushtojë secilës skuadër.