Skuadra e Goteborgut që bën gara në elitën e futbollit të Suedisë, ka njoftuar të mërkurën se sulmuesi i krahut, Arbnor Muçolli, ka pësuar lëndim të rëndë në gju.
Si pasojë e lëndimit të ligamentit të gjurit, Muçolli do të mungojë për kohë të gjatë. Ai u lëndua në barazimin pa gola të Goteborgut me Varnamon në vikendin e kaluar.
Kështu ka njoftuar Goteborgu në platformën “X”.
“Arbnor Muçolli ka lënduar ligamentin dhe do të jetë jashtë fushës për kohë të gjatë”, ka shkruar klubi suedez.
Muçolli në edicionin aktual të elitës së futbollit suedez ka shënuar dy gola në 13 paraqitje.
Në klubin suedez, shpresojnë se ai do të kthehet shpejtë, ndërsa Muçolli ka theksuar se ka pasur dhimbje të mëdha.
“Kisha shumë dhimbje dhe e kuptova se situata nuk është e mirë. Kur e mora mesazhin se për çfarë lëndimi bëhej fjalë, u dëshpërova dhe kanë qenë ditë të vështira. Por tani pas operimit, duhet të luftoj shumë dhe të kthehem edhe më i fortë në vitin 2025”, ka thënë ai, shkruan “fotbolldirekt” të mërkurën.
Muçolli ka pesë paraqitje me Shqipërinë.