Futbollistet e Kosovës i kanë humbur tri ndeshjet e para në kualifikimet për Euro 2025. Në prill pësuan 2:0 nga Ukraina dhe 6:0 nga Uellsi. Të premten në Podujevë pësuan 1:0 nga Kroacia. Me Kroacinë, Kosova luan tjetër ndeshje të martën prej orës 20:00. Ndeshja zhvillohet në Karlovc të Kroacisë dhe i takon Grupit 4 të Ligës B të kualifikimeve për “Euro 2025”.
Uellsi udhëheq në grup me shtatë pikë, një më shumë se Kroacia. Ukraina është e treta me katër pikë, ndërsa Kosova është ende pa pikë. Të gjitha përfaqësueset i kanë nga tri ndeshje të zhvilluara.
Në fakt ndeshja në Kroaci është rasti i fundit për Kosovën për të hyrë në garë për pozitën e tretë dhe kështu të shmangë rënien në Ligën C. Por gjasat tashmë janë shumë të vogla.
Në përfaqësuese megjithatë, ka optimizëm.
“Të gjitha jemi të gatshme për ndeshjen e nesërme dhe mezi po e presim. Në stërvitje kemi dhënë më të mirën dhe nëse edhe nesër e bëjmë të njëjtën gjë, besoj se do të arrijmë rezultat pozitiv”, ka thënë Vanesa Hoti, njëra prej lojtareve të Kosovës.
Florentina Kolgeci thotë se kanë lënë pas humbjen në Podujevë.
“Atmosfera është shumë pozitive. Jemi munduar të lëmë pas atë humbjen e dhimbshme dhe po mundohemi të jemi sa më kompakte për ndeshjen e ardhshme dhe të arrijmë rezultat pozitiv. Kroacia nuk është në nivel shumë më të lartë se ne. Vetëm duhet të jemi më të qeta e më të bashkuara dhe sigurisht se mund të arrijmë rezultat pozitiv”, ka thënë Kolgeci.
Më 12 korrik, Kosova e pret Ukrainën. Ndërkohë, më 16 korrik luan në udhëtim ndaj Uellsit në ndeshjen e fundit të këtij cikli kualifikues.
Para tri humbjeve rresht, Kosova ishte në seri prej 14 ndeshjeve pa humbje. I kishte 13 fitore gjatë kësaj serie, por jo ndaj përfaqësueseve të nivelit që aktualisht i ka në grup. Gjatë asaj serie edhe kaloi nga Liga C në Ligën B, që momentalisht po del të jetë hap i madh.