Futboll

Frymë e re te Feronikeli 74 - “frymë fituesi”

Feronikeli - Sport

Një muaj e gjysmë më parë skuadra e futbollit Feronikeli 74 me shumë mund siguroi mbijetesën në Superligën e Kosovës. Qëndrimin në Superligë, klubi nga Drenasi e siguroi nëpërmjet barazhit. Por nga edicioni i ri, 2024/2025, në klubin drenicas kanë plane tjera.

Synim i Feronikelit 74 janë trofetë në futbollin kosovar.

“Ne i gëzohemi frymës fitimtare në FC Feronikeli 74. Po rikthehet fryma e kampionit dhe sukseseve”, shkruan në njoftimin e klubit për afrimin e shumë bizneseve të Drenasit.

Sokol Gashani, Ekrem Elshani, Mehdi Gjoka, Qazim Asllani, Petrit Leku, Bedri Gllareva, Erlind Krasniqi, Burim Bujupi, Musa Binaku dhe shumë të tjerë do ta mbështesin “Niklin” për ta shndërruar në një prej klubeve me stabilitet financiar e po ashtu edhe sportiv në Kosovë.

“Bizneset më të mëdha të komunës tonë, që tanimë janë brende të njohura në Kosovë e më gjerë, janë bashkuar për të mbështetur klubin tonë të zemrës. Në stadiumin ‘Rexhep Rexhepi’, arriti një frymë e re në të cilën personalitetet më të suksesshme të biznesit të komunës sonë janë bashkuar për ta drejtuar FC Feronikeli 74, aty ku e ka vendin”.

Në fakt Feronikeli 74 dy edicione më parë zhvilloi gara në Ligën e Parë të Kosovës pas një fuzionimi. Klubi i formuar në vitin 2022, Feronikeli 74, shfrytëzon asetet e klubit me nam nga Drenasi, Feronikeli, që ndali aktivitetin në mënyrë të paqartë.

Bashkimit të bizneseve për të mirën e klubit Feronikeli 74  i gëzohet kapiteni Lapidar Lladrovci. Ai thotë se Feronikeli 74 do t’u kthehet trofeve.

“Ky bashkim i bizneseve është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e klubit, jo vetëm nga ana financiare. Gatishmëria e tyre për të qenë pranë klubit në aspektin organizativ, përveç atij financiar, do të jetë shtysë e madhe drejt ringritjes së klubit në nivelin ku ka qenë, krenaria e Drenasit dhe Kosovës. Bashkimi i njerëzve të fuqishëm të biznesit në Drenas e më gjerë, konfirmon se e ardhmja e Feronikelit tashmë është e sigurt dhe Nikli do t’i kthehet shpejtë trofeve dhe garave evropiane, aty ku edhe e ka vendin”, ka thënë Lladrovci për KOHËN.

Feronikeli 74 nën drejtimin e trajnerit Shefki Kuqi ka dy javë që ka nisur përgatitjet për edicionin e ri. Pas përfundimit të edicionit të kaluar, Feronikeli 74 ka bërë disa ndryshime. Ka larguar disa lojtarë, ndërsa ka angazhuar disa të tjerë. Por emrat e prurjeve të reja do të bëhen publike shpejtë.