Futboll

Forma e mirë e Ajetit nuk i mjafton Baselit

Albian Ajet

Albian Ajeti e ka shënuar edhe golin e katërt në tri ndeshjet e fundit me skuadrën e Baselit. 

Por, goli i sulmuesit 27-vjeçar nuk i ka mjaftuar skuadrës së madhe zvicerane që barazoi 1:1 në udhëtim te Sioni të shtunën mbrëma. 

Ajeti shënoi në minutën e pestë për 1:0, ndërsa në minutën e 26-të, Baseli pranoi gol dhe ndeshja u mbyll me rezultatin 1:1. 

Ajeti, që luajti vetëm në pjesën e parë, në pesë ndeshjet e fundit ka edhe tri asistime. 

Ndeshja e së shtunës i takoi xhiros së gjashtë të elitës së futbollit zviceran. 

Mesfushori Leon Avdullahu ishte titullar, por u përjashtua nga loja pas dy kartonëve të verdhë, në minutën e 89-të. 

Xherdan Shaqiri dhe Benjamin Kololli u inkuadruan te mysafirët nga minuta e 71-të. 

Taulant Xhaka mbeti në bankën rezervë. 

Baseli dhe Sioni pas gjashtë ndeshjeve kanë nga dhjetë pikë.