Futboll

Forma e Gjimshitit tek Atalanta jep shpresë për befasi të Shqipërisë në ‘’Euro 2024’’

Berat Gjimshiti

Pasi e përfundoi një edicion ëndrrash me Atalantan, mbrojtësi Berat Gjimshiti do të ndihmojë

Kombëtaren e Shqipërisë në përpjekje për të arritur rezultat befasues në Kampionatin Evropian.

Kështu ka shkruar të hënën mediumi “Reuters” në një shkrim për kapitenin e Shqipërisë.

Gjimshiti 31-vjeçar ishte pjesë shumë e rëndësishme e Atalantas që e fitoi Ligën e Evropës dhe përfundoi në top-pesë në Serie A për të siguruar vendin që e dërgon në Ligën e Kampionëve në edicionin e ardhshëm garues. 

Mbrojtësi i qendrës mungoi në fare pak ndeshje për klubin nga Bergamo, të cilit iu bashkua në vitin 2016 nga Zuerichu zviceran. Gjimshiti është njëri prej disa lojtarëve nga Serie A që do të luajnë për kuqezinjtë në Evropianin në Gjermani.

Shqipëria e nis garimin në Grupin B pikërisht ndaj Italisë në Dortmund.

Dhe Gjimshiti ka bërë një paralajmërim të qartë.

“Le të jemi të qartë, nuk i frikësohemi askujt. Është e vërtetë që Italia është e fortë, ka histori dhe është favorite. Por futbolli na mëson që ka gjithnjë befasi”, ka thënë Gjimshiti, shkruan “Reuters”.

Gjimshiti ishte një prej lojtarëve shqiptarë të lindur në Zvicër që vendosi të ndryshojë përfaqësusen.

Ai luajti për të rinjtë e Zvicrës, por dhjetë vjet më parë kaloi te Shqipëria. 

Ndonëse i kishte shtatë paraqitje për Shqipërinë para “Euro 2016”, ai u la jashtë Evropianit në Francë.
Por Gjimshiti la anash dëshpërimin për të arritur në shifrën e 57 ndeshjeve me kuqezinjtë dhe për të merituar shiritin e kapitenit. Ai mungoi vetëm në një ndeshje në kualifikimet për Evropianin që fillon më 14 qershor.

“Fakti që nuk isha në Francë, më ka nxitur. Tani kam shumë krenari që jam pjesë e ekipit kombëtar dhe që mbaj shiritin e kapitenit”, thotë qendërmbrojtësi.

Shqipëria është në grup shumë sfidues në Gjermani. Do të përballet edhe me gjysmëfinalisten e Botërorit, Kroacinë si dhe  me Spanjën.

Gjimshiti ishte adoleshent kur në vitin 2012 debutoi te Zuerichu, pasi hapi rrugën në kategoritë e reja.

Ai më pas kompletoi disa edicione para se të transferohej si lojtar i lirë në Serie A. Ai ka gati nëntë vjet që është tek Atalanta, ndërsa periudhat e huazimit tek Avellino dhe Benevento e kanë ndihmuar të bëhet gati për ligën e vështirë të Italisë. Me Atalantan ka kontratë deri në vitin 2026.

Në edicionin që për Atalantan përfundoi vetëm të dielën, Gjimshiti ka shfaqur formën më të lartë. Shqipëria tani do të kërkojë të përfitojë nga kjo formë në ngjarjen e madhe kontinentale.