Trajneri i Lillet, Paulo Fonseca ka arsyetuar vendimin për ta lënë në stol Edon Zhegrovën në ndeshjen kundër Lyonit. Por ai pranon se vendimi i tij ishte i gabuar. Zhegrova shënoi një gol të hënën mbrëma për ekipin e tij që humbi derbin dramatik nga Lyoni me rezultatin 4:3, në kuadër të xhiros së 32-të në Lige 1 të Francës.
Zhegrova u inkuadrua në minutën e 26-të në fushë, ndërsa shënoi golin e dytë për Lillen në minutën e 37-të. Zhegrova në minutën e 75-të u zëvendësua.
“Ishte vendim strategjik. Zhegrova ishte në plan për t’u inkuadruar në pjesën e dytë. Me Edonin në fushë nga fillimi e kishim vështirë të mbroheshim, prandaj vendosa të mos e inkuadroj. Tani më vjen keq. Pas ndeshjes është e lehtë të thuhet, por unë marrë përgjegjësi”, ka thënë Fonseca.
Zhegrova 25-vjeçar ka shënuar 12 gola dhe ka asistuar nëntë herë në 45 ndeshjet e këtij edicioni.