Trajneri i Milanit, Paulo Fonseca, të hënën ka folur në konferencë për shtyp para ndeshjes ndaj Liverpoolit. Liverpooli dhe Milani do të takohen të martën në kuadër të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve. Ndeshja do të zhvillohet në “San Siro” nga ora 21:00.
Fonseca ka deklaruar se skuadra e tij duhet të luajë mirë në mbrojtje ndaj Liverpoolit.
“Unë mendoj se Liverpooli është një nga skuadrat më të forta në Evropë. Liverpooli luan lojë të mirë dhe ka individë të dalluar. Ne duhet të luajmë mirë në mbrojtje, nuk mund të bëjmë gabime”, ka deklaruar Fonseca.
51-vjeçari pret edhe mbështetjen e tifozëve në takimin ndaj ekipit anglez.
“Mbështetja e tifozëve tanë është gjithmonë e rëndësishme për ne. Nesër do të jetë kështu, ne duam ta ndiejmë dashurinë e tyre”, ka thënë portugezi.