Barcelona do ta ketë mundësinë që të dalë sërish në pozitën e parë në La Liga.
Barça të hënën nga ora 21:00 e pret Rayo Vallecanon, në ndeshjen që i takon javës së 24-t të elitës së futbollit spanjoll.
Në rast të fitores, Barça do të barazohet me pikë me Real Madridin dhe për shkak të golavarazhit më të mirë do të prijë në tabelë.
Barça pas 23 ndeshjeve të zhvilluara është në pozitën e tretë me 48 pikë.
Lider është Real Madridi me 51 pikë. Atletico Madridi ka një pikë më pak në vendin e dytë. Skuadrat madrilene luajtën të shtunën.
Trajneri i Barçës, Hansi Flick, thotë se skuadra nuk duhet ta shikojë renditjen tabelore por duhet të fokusohet te ndeshja ndaj Vallecanos.
“Skuadra nuk duhet ta shikojë renditjen. Unë kam ndjenjën se lojtarët duan të tregojnë se çfarë skuadre jemi dhe çfarë mentaliteti kanë ata. Dhe kjo është e mrekullueshme për trajnerët. Trajneri i Rayo Vallecanos, Inigo Perez është i jashtëzakonshëm dhe skuadra e tij po bënë rezultate shumë të mira. Gjëja e parë që duhet të bëjmë është të luajmë 90 minuta të mira dhe të fitojmë”, ka thënë Flick në konferencë për shtyp të dielën.