Futboll

Flick kritik ndaj mbrojtjes, Simeone çmon shpirtin luftarak të skuadrës

Martinez

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka kritikuar mbrojtjen e skuadrës së tij dhe foli për mungesë përqendrimi, pasi Atletico Madridi shënoi dy gola të vonshëm për barazimin 4:4 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Mbretit.

Ndeshja e së martës ishte dramatike. Julian Alvarez në minutën e parë dhe Antoine Griezmann në minutën e gjashtë shënuan fillimisht për epërsinë 2:0 të Atletico Madridit.

Barça u përgjigj me golat e Pedrit në minutën e 19-të dhe Pau Cubarsit në minutën e 21-të për 2:2.

Inigo Martinez shënoi në minutën e 41-të për 3:2, e Robert Lewandowski në minutën e 74-t për 4:2. Por skuadra e Diego Simeones nuk u dorëzua. Marcos Llorente ngushtoi rezultatin në 4:3 në minutën e 84-t, par se Alexandaer Sorloth të shënonte për barazimin 4:4 në minutën e 93-të.

Të pranohen katër gola është e papranueshme për një skuadër si Barcelona, thotë gjermani Flick. Sipas tij, Barça duhet të mësohet si t’i përfundojë ndeshjet me sukses.

“Ua kam tërhequr vërejtjen lojtarëve që të mos lëshojnë asnjë rast. Jam i dëshpëruar me rezultatin pasi ishte mirë të shohësh se si ia dolëm të kthehemi pasi pësuam dy gola të hershëm. Edhe pasi ishim në epërsi 4:2, ne kemi krijuar shumë shanse. Por kjo nuk mjaftoi pasi në fund e lejuam kundërshtarin të kthehet”, ka thënë Flick për TVE.

Atletico tani është në situatë më të mirë për ndeshjen e kthimit që luhet në Madrid.

“Kemi pasur shanse që të shkojmë në ndeshjen e dytë me epërsi. Do të duhet të flasim shumë në dhomën e zhveshjes për golat që i kemi pësuar. Duhet të përmirësojmë gabimet. Ekipi është shumë i ri, ka shumë hapësirë për përmirësim, por ky nuk është justifikim. Atletico i shënoi katër gola ndaj nesh dhe kjo është shumë për standardin tonë”, ka shtuar Flick.

Flick e vlerësoi qëndrueshmërinë e Atleticos, ndërsa ka thënë se ka gjëra pozitive që mund t’i marr nga kjo ndeshje, sidomos në sulm.

“Jam i frustruar, por sërish i lumtur me shumë gjëra që pash në ndeshje. Por golat që pësuam nuk janë të pranueshëm. Atletico luajti shumë mirë. Kishim përballë një ekip të mirë dhe të fortë që dha çdo gjë në fushë. E dominuam lojën për 80 minuta, kurse në minutat e fundit nuk u mbrojtëm mirë. Nuk po mund ta besoja golin e katërt”.

Trajneri i Barçës thotë se tifozët mund të jenë kënaqur me ndeshje pasi ishte betejë e vërtetë. Ai beson se skuadra është në gjendje ta fitojë ndeshjen e dytë dhe të avancojë në finale të Kupës së Spanjës.

Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, ka çmuar shpirtin luftarak të ekipit. Simeone ka festuar me pasion kur Sorloth shënoi golin e barazimit.

“Ajo që vlen më së shumti për mua është fryma e ekipit. Ekziston një frymë e jashtëzakonshme gladiatoriale nga lojtarët, që është frymëzuese”, ka thënë Simeone në konferencë për shtyp.

Ndeshja e kthimit është më 2 prill.

“Ekipi tregoi karakter të shkëlqyer dhe bëri një ndeshje shumë të mirë. Luajti tërë kohën me mentalitetin e njëjtë dhe me shpirt garues”, ka vazhduar argjentinasi Simeone.

Edhe Simeone ka vërejtje në mbrojtje, sidomos për dy golat e pësuar pas goditjeve nga këndi.

“Është e pamundur që një ekip si Barcelona ta përfundojë ndeshjen pa shënuar gol. Por ajo që më shqetëson është kur pësojmë dy gola pas ndërprerjeve. Është çështje e përpjekjeve individuale dhe kolektive, që ne duhet t’i korrigjojmë. Ndeshja nuk ishte e lehtë, por djemtë shfaqën shpirt garues për të cilin jam i apasionuar”, ka thënë Simeone.

Barcelona e Atletico Madridi janë edhe në garë për titull të kampionit në La Liga, së bashku me Real Madridin.