Trajneri Qëndrim Kida e ka shënuar fitoren e parë me Suharekën.
Pas disfatës që e pësoi javën e kaluar nga Ballkani, Suhareka të dielën e mposhti në shtëpi Prishtinën me rezultatin 2:1. Ndeshja i takoi xhiros së dhjetë të Superligës së Kosovës në futboll.
Sulmuesi Mevlan Zeka realizoi për 1:0 në minutën e tretë të ndeshjes.
Prishtina i barazoi shifrat në 1:1 në minutën e 30-të me golin e mbrojtësit, Ardi Ajdini.
Fitoren Suharekës ia siguroi Liridon Fetahaj që në minutën e 68-të realizoi për 2:1.
Prishtina e kishte shansin që ta barazonte rezultatin në 2:2 krejt në fund të ndeshjes, por Albin Krasniqi nuk ishte i saktë nga pika e bardhë.
Suhareka ka 16 pikë dhe është në vendin e katërt. Me pikë të njëjta është edhe Prishtina që është një pozitë më lartë.
