Futboll

Fitoret e motivojnë Kosovën para “finales” ndaj Rumanisë

Kosova

Tri fitoret rresht, dy ndaj Qipros dhe një kundër Lituanisë, i kanë motivuar lojtarët e Kosovës para ndeshjes “finale” të Grupit 4 të Ligës C të Ligës së Kombeve kundër Rumanisë.

“Dardanët” të martën mbrëma në “Fadil Vokrri” fituan lehtësisht kundër Qipros 3:0, ndërsa të shtunën e mposhtën edhe Lituaninë 2:1. Por është e qartë se Qiproja dhe Lituania nuk janë të nivelit të Rumanisë, kundërshtares së radhës në Ligën e Kombeve.

Ndeshjen kundër rumunëve Kosova e luan më 15 nëntor në Bukuresht. Fitorja përballë rumunëve është opsioni i vet, thotë mesfushori i Kosovës, Lindon Emërllahu.

Por Emërllahu e di mirë se Kosovës i duhet një ndeshje e madhe në Bukuresht. Kosova e humbi ndeshjen e parë 3:0 ndaj rumunëve në “Fadil Vokrri” më 6 shtator. Për ta fituar grupin i duhet fitore 4:0 në Bukuresht. Kjo, pasi nëse përfaqësueset e mbyllin garën me pikë të barabarta, atëherë do të merren për bazë rezultatet e ndeshjeve të ndërsjella. Rumania është e para me 12 pikë, kurse Kosova zë vendin e dytë me nëntë pikë. Qiproja është e treta me tri pikë, derisa Lituania e fundit pa pikë.

Vendi i parë siguron paraqitjen në Ligën B të edicionit të ardhshëm të Ligës së Kombeve. 

“Në Rumani do të shkojmë vetëm për tri pikë. Me këtë bagazh të lojtarëve dhe me lojtarë me shumë eksperiencë, besoj se do të marrim pikët e plota në Rumani dhe pse jo ta fitojmë vendin e parë”, ka thënë Emërllahu të mërkurën për KOHËN.

Emërllahu ishte prej lojtarëve me notën më të lartë në ndeshjen ndaj Qipros. Ai pati paraqitje të mirë në mesfushë krah Muharrem Jasharit. Emërllahu e vlerëson potencialin që ka Kosova.

“Kosova ka lojtarë mjaft cilësorë. Jemi një grup shumë i bashkuar si brenda ashtu edhe jashtë fushës. Dhe shpresoj se në një të ardhme të afërt të bëjmë gjëra të mëdha. Personalisht e kam shijuar çdo minutë që kam luajtur. Jam futur gjithmonë të jap maksimumin, pasi është ndjenjë shumë e veçantë të përfaqësoj vendin tim në këto ngjarje të mëdha”, është shprehur mesfushori i Ballkanit.

Emërllahu ishte njëri prej shtatë lojtarëve titullarë që janë zhvilluar në klubet e Kosovës e që të martën u paraqitën për Kosovën ndaj Qipros. Kapiteni Amir Rrahmani, Lumbardh Dellova, Muharrem Jashari, Milot Rashica, Ermal Krasniqi e Albion Rrahmani janë lojtarët e tjerë që janë zhvilluar në Kosovë. 

Emërllahu vlerëson Qipron dhe Lituaninë. Thotë se janë kundërshtarë me cilësi të mira. Por ai thekson se Kosova ishte e vendosur për t’i fituar dy përballjet. Synon fitoren e katërt rresht.

“Këto dy ndeshje për ne kanë shkuar shumë mirë. Kanë shkuar ashtu siç kemi pritur dhe kemi planifikuar. Synimi ishte t’i fitojmë gjashtë pikë në këto dy ndeshje mjaft të vështira me shtete që dinë të luajnë futboll mjaft mirë”, ka thënë Emërllahu.

Sulmuesi Emir Sahiti pranon se ndaj Rumanisë i pret ndeshje e vështirë.

“Do të jetë ndeshje shumë e fortë. Duhet të shkojmë për fitore, duhet të jemi maksimalisht të motivuar. Duhet të jemi i gjithë grupi dhe në Rumani ta japim maksimumin tonë”, ka thënë Sahiti për faqen e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Sahiti shënoi njërin prej tri golave të Kosovës.

Gol ndaj Qipros shënoi edhe Emral Krasniqi. Krasniqi në të kaluarën ka luajtur në Rumani, ndërsa pranon forcën e rumunëve.

“Do të jetë ndeshje e vështirë. Stafi dhe ne kemi kohë të mjaftueshme për të analizuar kundërshtarin. Na pret ndeshje e vështirë, por nëse luftojmë të gjithë se bashku, gjithçka është e mundur”, ka thënë Krasniqi.

Edhe kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, iu gëzua fitoreve ndaj Qipros dhe Lituanisë. Por ai tha se “finalja” për Kosovën është në Bukuresht.

“Po na qesh fytyra pasi kemi shënuar tri fitore. Por ndeshja finale është kundër Rumanisë në nëntor”, tha Rrahmani pas ndeshjes.

Pas ndeshjes kundër Rumanisë, Kosova më 18 nëntor e pret Lituaninë në “Fadil Vokrri”.