Liga e Parë

Fitore të rëndësishme të Trepçës ‘89 dhe Ferizajt

Trepca 89

Skuadra e Trepçës 89 ka shënuar fitore ndaj Dinamos së Ferizajt me rezultat 2:1.

Ndeshja i takoi xhiros së 21-të në Grupit A të Ligës së Parë. U zhvillua të premten pasdite në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë.

Sulmuesi Kostika Beçka realizoi për 1:0 në minutën e 23-të të ndeshjes. Në fund të pjesës së parë mesfushori i Dinamos, Kenan Orana, barazoi rezultatin në 1:1.

Golin e fitores për skuadrën mitrovicase e shënoi Ardian Hasani në minutën e 65-të.

Me fitore Trepça 89 doli në vendin e parë në Grupin A me 39 pikë të grumbulluara. Suhareka gjendet në pozitën e dytë me një pikë më pak, por po ashtu ka një ndeshje më pak të luajtur. Dinamo ka rënë në vend të tretë me 37 pikë. Kështu gara për titull në këtë grup dhe rrjedhimisht për promovim në Superligë vazhdon të jetë shumë e fortë.

Fitore të rëndësishme të premten ka shënuar edhe skuadra e Ferizajt. Skuadra ferizajase ka mposhtur Vjosën në Shtime me rezultat 2:1. Ndeshja i takoi xhiros së 21-të të Grupit B të Ligës së Parë.

Egzon Qerimi dhe Betim Haxhimusa ishin golashënues për skuadrën e Ferizajt. Për Vjosën realizoi Drin Ymeri. 

Ferizaj është forcuar në vendin e parë me 48 pikë. Vjosa mbetet në pozitën e tretë me 43 pikë. E dyta është Prishtina e Re me 44 pikë, por me një ndeshje më pak të luajtur.