Muharrem Jashari ishte protagonist në ndeshjen e Kosovës me Lituaninë. Sulmuesi mitrovicas shënoi gol në minutën e pestë, ndërsa u përjashtua me të kuq në minutat shtesë të pjesës së parë. Dhe më pas Kosova vuajti shumë për ta mposhtur Lituaninë.

Të hënën mbrëma në “Fadil Vokrri”, Kosova fitoi 1:0 ndaj Lituanisë, që e përfundon edicionin e katërt të Ligës së Kombeve të UEFA-s pa pikë të fituar. Ndërkohë Kosova i ka 12 pikë në vendin e dytë, ndërkohë që ndeshja e ndërprerë me Rumaninë nuk është regjistruar ende. Rumania është e para me 15 pikë.

Ndeshja në stadiumin e mbushur me shikues, nisi shumë mirë për Kosovën. Albion Rrahmani fitoi një top në fushën e kundërshtarit dhe pasoi në zonë për Vedat Muriqin. Muriqi asistoi për Jasharin, që shënoi gol të bukur për 1:0.

Kosova i kishte edhe disa aksione, por loja e saj ishte gjithnjë e më e zbehtë. Dhe në fund të pjesës së parë, Jashari bëri një ndërhyrje të pakontrollouar. Fillimisht arbitri e ndëshkoi me karton të verdhë. Por më pas u ftua nga VAR-i dhe pas rishikimit të situatës e anuloi kartonin e verdhë dhe e ndëshkoi Jasharin me karton të kuq.

Kështu në gjithë pjesën e dytë Kosova luajti me një lojtar më pak në fushë. Dhe të përzgjedhurit e Franco Fodas vuajtën shumë për ta mbajtur epërsinë 1:0. Aro Muriq kishte shumë punë dhe shfaqi formë të lartë. Ndërkohë në mesin e pjesës së dytë lituanët goditën dy herë shtyllën brenda dy minutave. Por nuk konkretizuan dhe kështu tri pikët u takuan “Dardanëve”.

Kosova me shumë gjasa do të përfundojë në pozitën e dytë në Grupin C2 të Ligës së Kombeve. Dhe do të luaj në plejof. Rumania si fituese e grupit, nëse vendimi i UEFA-s nuk ndryshon gjendjen në tabelë, do të avancojë në Ligën B për edicionin e pestë.

Aro Muriq: Kemi luftuar së bashku

5 muaj më parë / 18 nën 2024 23:16
Aro Muriq

"Ishte lojë e mirë. Kemi luftuar së bashku. Kemi fituar duelet dhe kemi luajtur mirë. Ishte vështirë, por ishte fitore e merituar. Mendoj se i kemi merituar tri pikët. 
Nëse bëjmë gjërat e duhura, sërish e sërish, do të arrijmë ku duam. Jemi përmirësuar shumë."

Vedat Muriqi: E presim kundërshtarin e plejofit

5 muaj më parë / 18 nën 2024 23:15
Vedat Muriqi

"E nisëm lojën shumë mirë. E shënuam një gol në minutën e pestë dhe mendova që do të dominojmë plotësisht. Por kartoni i kuq bëri që të detyrohemi të mbrohemi. Por e rëndësishme ishte fitorja që ta mbyllim ciklin me fitore para tifozëve tanë.
Jemi të lumtur dhe tani presim kundërshtarin e plejofit.
Personalisht kam bërë maksimumin dhe e rëndësishme është fitorja, pavarësisht çka ndodhi në fushë. Jam i lumtur për Mulin që shënoi golin e parë në karrierë. Grupi i lojtarëve po kompletohet.
Para ciklit synimi ishte kualifikimi. Por nisëm keq, me humbje me Rumaninë. Nuk mund të them që është maksimumi, por grupi po përmirësohet. Duhet të vazhdojmë këtë ritëm."

Franco Foda: Jemi në rrugën e duhur

5 muaj më parë / 18 nën 2024 23:10
Franco Foda

Franco Foda

“Në pjesën e parë ishim më konstant, luajtëm më mirë dhe shënuam golin herët. Pas kartonit të kuq ishim të detyruar të vrapojmë më shumë dhe në lojën pa top. Ishim të orientuar më shumë në defanzivë. Edhe në pjesën e dytë i kishim dy raste ku kemi mundur të shënojmë golin e dytë. Prej minutës së 65-të kishim edhe pak fat, me shtyllat që i goditi Lituania. U detyruam të ndërrojmë edhe skemën taktike, luajtëm me 5-3-1. Dhe më pas Lituania nuk kishte shumë raste shënimi. Megjithatë jam shumë krenar me ekipin dhe shumë i lumtur që kemi arritur fitore. Nga Rumania u kthyem në katër të mëngjesit dhe nuk kishim shumë kohë për rehabilitim. Kishim edhe probleme në mbrojtje, por në përgjithësi jam shumë krenar me ekipin. Kishim përkrahje të mahnitshme nga tifozët dhe i falënderoj ata. Jemi shumë të lumtur me rezultatet e fundit. Në pesë lojë kemi katër fitore e një barazim dhe jemi në rrugën e duhur. Ekipi ende nuk është aty ku dua të jetë, por ekipo po shkon aty ku duhet të jetë. Në fillim më është dashur të provojë shumë dhe për këtë rezultatet ishin më të dobëta. Kemi më shumë lojtarë që mund t’i përzgjedhim. Edhe pa shumë lojtarë të rëndësishëm ia dolëm të marrim pikë dhe të luajmë mirë. Konkurrenca në ekip është më e madhe dhe energjia është tjetër në krahasim me atë që ishte në fillim”.

Muharrem Jashari: Falënderoj bashkëlojtarët për angazhimin, nuk ishte karton i kuq

5 muaj më parë / 18 nën 2024 23:00
Muharrem Jashari

Emocion shumë i veçantë, i papërshkrueshëm. Më shumë jam i lumtur për fitoren. I falënderoj jashtëzaqkonisht bashkëlojtarët që u angazhuan në pjesën e dytë. Kishin barrë shtesë pasi ishin me një lojtar më pak.

Ndoshta kam menduar se nuk është as karton i verdhë. E kam prekur pak në këmbë, por për mua nuk ishte karton i kuq.

Kemi luajtur shumë mirë taktikisht. E kemi analizuar kundërshtarin. Nuk është pozita ime e zakonshme, kjo në krahun e majtë, por e kam luajtur edhe më parë. E falënderoj trajnerin që më ka dhënë besimin. Kam luajtur në krahun e majtë te Trepça ’89 dhe pak te Drita dhe e njoh si pozitë.

I gjithë rrugëtimi nuk ishte i lehtë. Jam shumë i lumtur me gjithë lojtarët, me gjithë stafin, për këto katër ndeshje që isha i grumbulluar.

Golin ia dedikoj familjes sime.

Fitore mes vuajtjesh e Kosovës ndaj Lituanisë

5 muaj më parë / 18 nën 2024 22:38
Perfaqesuesja e Kosoves ne futboll

Muharrem Jashari ishte protagonist në ndeshjen e Kosovës me Lituaninë. Sulmuesi mitrovicas shënoi gol në minutën e pestë, ndërsa u përjashtua me të kuq në minutat shtesë të pjesës së parë. Dhe më pas Kosova vuajti shumë për ta mposhtur Lituaninë.

Të hënën mbrëma në “Fadil Vokrri”, Kosova fitoi 1:0 ndaj Lituanisë, që e përfundon edicionin e katërt të Ligës së Kombeve të UEFA-s pa pikë të fituar. Ndërkohë Kosova i ka 12 pikë në vendin e dytë, ndërkohë që ndeshja e ndërprerë me Rumaninë nuk është regjistruar ende. Rumania është e para me 15 pikë.

Ndeshja në stadiumin e mbushur me shikues, nisi shumë mirë për Kosovën. Albion Rrahmani fitoi një top në fushën e kundërshtarit dhe pasoi në zonë për Vedat Muriqin. Muriqi asistoi për Jasharin, që shënoi gol të bukur për 1:0.

Kosova i kishte edhe disa aksione, por loja e saj ishte gjithnjë e më e zbehtë. Dhe në fund të pjesës së parë, Jashari bëri një ndërhyrje të pakontrollouar. Fillimisht arbitri e ndëshkoi me karton të verdhë. Por më pas u ftua nga VAR-i dhe pas rishikimit të situatës e anuloi kartonin e verdhë dhe e ndëshkoi Jasharin me karton të kuq.

Kështu në gjithë pjesën e dytë Kosova luajti me një lojtar më pak në fushë. Dhe të përzgjedhurit e Franco Fodas vuajtën shumë për ta mbajtur epërsinë 1:0. Aro Muriq kishte shumë punë dhe shfaqi formë të lartë. Ndërkohë në mesin e pjesës së dytë lituanët goditën dy herë shtyllën brenda dy minutave. Por nuk konkretizuan dhe kështu tri pikët u takuan “Dardanëve”.

Kosova me shumë gjasa do të përfundojë në pozitën e dytë në Grupin C2 të Ligës së Kombeve. Dhe do të luaj në plejof. Rumania si fituese e grupit, nëse vendimi i UEFA-s nuk ndryshon gjendjen në tabelë, do të avancojë në Ligën B për edicionin e pestë.

Kosova në telashe, dy shtylla të Lituanisë

5 muaj më parë / 18 nën 2024 22:18
Lituania

Lituania ka goditur dy herë shtyllën brenda dy minutave në mesin e pjesës së dytë të ndeshjes me Kosovën. Më parë Aro Muriq bëri pritje vendimtare.

Lituania gjithnjë e më e rrezikshme

5 muaj më parë / 18 nën 2024 22:13
Lituania

Lituania ka nisur të shfaqet më e rrezikshme në ndeshjen me Kosovën. 

Në pjesën e dytë lituanët i kanë “lidhur” tri raste, por rezultati mbetet 1:0 në të mirë të Kosovës.

Dy ndryshime te Kosova

5 muaj më parë / 18 nën 2024 21:53
Kosova

Selektori Franco Foda ka vendosur për dy ndryshime për pjesën e dytë.

Lindon Emërllahu është aktivizuar në vend të Valon Berishës, ndërsa Zymer Bytyqi në vend të Albion Rrahmanit.

Kosova në epërsi 1:0 pas pjesës së parë, në pjesën e dytë me një lojtar më pak

5 muaj më parë / 18 nën 2024 21:35
Kosova

Goli i Muharrem Jasharit në minutën e pestë bëri dallimin në pjesën e parë të ndeshjes Kosovë – Lituani.

Pas 45 minutave lojë, Kosova udhëheq 1:0.

Jashari shënoi gol të bukur, me asistim të Vedat Muriqit. Topin e fitoi Albion Rrahmani.

Më pas lojtarët e Kosovës kishin edhe disa aksione të mira, por loja e “Dardanëve” shkoi duke u zbehur.

Në minutat shtesë, golashënuesi Jashari u ndëshkua me të kuq për një ndërhyrje të pakontrolluar. Në fakt ai fillimisht u ndëshkua me të verdhë. Por pas rishikimit të situatës në VAR, arbitri anuloi kartonin e verdhë dhe ndëshkoi Jasharin me të kuq.

Përjashtohet Jashari

5 muaj më parë / 18 nën 2024 21:31
Muharrem Jashari

Muharrem Jashari është përjashtuar në minutat shtesë të pjesës së parë. Jashari u ndëshkua direkt me të kuq për një ndërhyrje të ashpër.

 Arbitri e mori vendimin pas rishikimit të situatës në VAR. 

Jashari fillimisht u ndëshkua me karton të verdhë, por që u shndërrua në të kuq pas rishikimit të VAR-it.

Kosova në pjesën e dytë do të jetë me një lojtar më pak në fushë.

Jashariiiiiiiiiiiiiii

5 muaj më parë / 18 nën 2024 20:50
Muharrem Jashari

Muharrem Jashari ka shënuar gol të bukur për epërsinë 1:0 të Kosovës ndaj Lituanisë.

Jashari shënoi që në minutën e pestë të ndeshjes.

Për Jasharin asistoi Vedat Muriqi.

Fillim i furishëm i Kosovës

5 muaj më parë / 18 nën 2024 20:49
zhegrova

Kosova e ka nisur furishëm ndeshjen me Lituaninë.

Që në minutën e dytë Edon Zhegrova goditi rrezikshëm, por topi shkoi pak mbi portë. Kjo është ndeshja e fundit e edicionit të katërt të Ligës së Kombeve të UEFA-s.

Muriqi e Rrahmani udhëheqin sulmin e Kosovës

5 muaj më parë / 18 nën 2024 19:36
Vedat Muriqi

Vedat Muriqi dhe Albion Rrahamni do të jetë dyshja e sulmit të Kosovës për ndeshjen kundër Lituanisë, ndërkohë dyshen e mbrojtjes, Amir Rrahmani dhe Lumbardh Dellova e zëvendësojnë Ilir Krasniqi dhe Fidan Aliti.

Rrahmani e Dellova mungojnë shkaku i suspendimit. Në mbrojtje janë edhe Florent Hadërgjonaj dhe Mërgim Vojvoda, kurse në mesfushë do të paraqiten Edon Zhegrova, Elvis Rexhbeçaj, Valon Berisha dhe Muharrem Jashari. Në portë është Arijanet Muriq. Vedat Muriqi do të jetë edhe kapiten i “Dardanëve” për ndeshjen që nis nga ora 20:45 dhe i takon Grupit C2 të Ligës së Kombeve. Është ndeshja e fundit e “Dardanëve” për edicionin e katërt të Ligës së Kombeve të UEFA-s.

Rumania është e para në grup me 12 pikë dhe Kosova e dyta me nëntë pikë. Nuk është regjistruar rezultati i ndeshjes së ndërprerë.

Fituesja e grupit avancon në Ligën B, ndërsa përfaqësuesja e dytë, që me shumë gjasë do të jetë Kosova, luan në plejof. Ndeshjet e plejofit luhen në mars të vitit të ardhshëm, ndërsa shorti tërhiqet të premten.