Futboll

Fitore dhe kualifikim për Manchester Unitedin

Manchester United

Manchester Unitedi nuk ka lejuar befasi në ndeshjen kthyese të një të tetës së finales në Ligën e Evropës, në duelin ndaj Real Sociedadit.

“Djajtë e kuq” të enjten mbrëma fituan 4:1 ndaj skuadrës spanjolle në “Old Trafford”, për të bërë vend në çerekfinale.

Tre golat për skuadrën e madhe angleze i shënoi kapiteni Bruno Fernandes, ndërsa një tjetër e shënoi Diogo Dalot.

Mysafirët befasuan në minutën e 10-të, kur shënuan nga penalltia me Mikel Oyarzabalin.

Nga pika e bardhë realizoi edhe Bruno Fernandes, madje dy herë.

Ai ishte i saktë në minutën e 16-të dhe të 50-të për 2:1.

Spanjollët mbetën pa mbrojtësin Jon Aramburu, që u ndëshkua direkt me të kuq në minutën e 63-të.

Ndërkohë golin e tretë dhe kompletimin e “hat-trickut”, portugezi Fernandes e arriti tre minuta para fundit.

Dalot më pas shënoi në minutën e parë të kohës shtesë, për rezultatin final.

Unitedi në çerekfinalen e 10 prillit e luan ndeshjen e parë në udhëtim te Lyoni.

Lyoni në ndeshjen kthyese nuk pati telashe ndaj FCSB-së rumune dhe fitoi 4:0. Francezët ndeshjen e parë e kishin fituar 3:1.