Futboll

Fiorentinës i shërben përvoja e vitit të kaluar për finalen e Ligës së Konferencës

Fiorentina

Fiorentina është e gatshme të mësojë nga gabimet dhe të përdorë përvojën e humbjes së vitit të kaluar, për ta mposhtur Olympiacosin në finalen e edicionit 2023/2024 të Ligës së Konferencës. Kështu ka deklaruar trajneri i skuadrës italiane, Vincenzo Italiano, të martën në konferencë për shtyp.

Finalja Olympiacos – Fiorentina zhvillohet të mërkurën prej orës 21:00 në Athinë, përkatësisht në stadiumin e AEK-ut. Liga e Konferencës është niveli i tretë i garave kontinentale për klube të futbollit, por finalja pritet me interesim të madh sidomos në Greqi dhe nga tifozët e Fiorentinës.

Vjet Fiorentina u mposht në finale të Ligës së Konferencës nga West Ham Unitedi me rezultatin 2:1.

Tani skuadra italiane do të mundohet t’i shmangë gabimet që i kishte bërë në finalen e kaluar.

“E vetmja gjë që është ndryshe është se ne kemi përjetuar tashmë disa gjëra”, ka thënë Italiano në konferencë për shtyp, të martën.

“Ne e kemi përvojën, e marrim atë me vete dhe nesër mbrëma duhet ta tregojmë. Nuk mund të bëjmë gabime, duhet të jemi të kujdesshëm dhe të fokusuar. Vitin e kaluar nuk kishim fund të mirë. Do ta shfrytëzojmë atë hidhërim për të bërë gjërat në mënyrën e duhur tani”, ka shtuar trajneri i Fiorentinës.

Italiano ka theksuar se kanë ushtruar edhe për penallti dhe se janë të gatshëm nëse ndeshja nuk vendoset gjatë 90 minutave apo 120 minutave.

Në gjysmëfinale, Fiorentina eliminoi Club Bruggen, ndërsa Olympiacosi kaloi Aston Villan.

Fiorentina e përfundon edicionin në Serie A në pozitën e tetë. Ende e ka një ndeshje të pazhvilluar.

Olympiacosi ka përfunduar i treti në kampionatin grek, pas PAOK-ut dhe AEK-ut. Te skuadra greke kanë thënë se do t’i qasen finales njëjtë si çdo ndeshjeje tjetër.

Trajneri Jose Luis Mendilibar është i vetëdijshëm se Olympiacosi mund të shkruajë histori duke u bërë ekipi i parë grek që fiton trofe evropian. Por kjo nuk e ndryshon mënyrën e tij të të menduarit.

“Duhet të qëndrojmë të qetë, të relaksuar dhe të bëjmë atë që na solli në finale. Të ndryshojmë ndonjë gjë do të jetë gabim”, ka thënë Mendilibar.

Ky është edicioni i tretë i Ligës së Konferencës. Edicionin e parë e kishte fituar Roma. Kishte fituar 1:0 në finalen në “Air Albania” në Tiranë, në vitin 2022.

Tashmë është zhvilluar finalja e Ligës së Evropës për edicionin 2023/2024. Atalanta ka fituar trofeun e dytë kontinental për nga rëndësia, duke e mposhtur Bayer Leverkusenin 3:0 në finale.

Edicioni evropian përfundon në mbrëmjen e 1 qershorit, përkatësisht të shtunën. Borussia Dortmundi dhe Real Madridi përballen në finalen e Ligës së Kampionëve, në “Wembley”.