Skuadra e Ballkanit do t’i ketë shtatë finale deri në fund të kampanjës së sivjetme të futbollit kosovar. Gjashtë do t’i ketë në Superligën e Kosovës dhe një në finale të Kupës. Dhe për të treguar se kush është skuadra më e mirë në Kosovë, Ballkani duhet t’i fitojë të gjitha ndeshjet. Kështu ka thënë të shtunën për KOHËN kapiteni i Ballkanit, Edvin Kuç. Kuç për kohë të gjatë është prej lojtarëve kryesorë në skuadrën e trajnerit Ilir Daja. Për shkak të përvojës së madhe që ka, Kuç pritet të jetë i rëndësishëm edhe për udhëtimin që Ballkani do ta ketë të dielën në udhëtim te Gjilani.
Gjilani – Ballkani luhet në terrenin me bar sintetik në Gjilan nga ora 15:00, dhe i takon xhiros së 31-të.
Ballkani është lider aktualisht me 60 pikë, dy më shumë se përcjellësit, Llapi e Drita. Gjilani synon mbetjen në elitë pa e luajtur fare ndeshjen e barazhit. Për ta arritur këtë, i duhet fitorja ndaj kampionit të dy edicioneve të fundit në Kosovë.
Gjilani ka 34 pikë në vendin e shtatë, aq sa ka edhe Feronikeli 74 në pozitën e tetë, por me një ndeshje më shumë të luajtur.
“Kemi gjashtë finale para. E kemi edhe finalen e shtatë nëse e llogarisim atë të Kupës kundër Prishtinës. Të shtunën do të kemi përballje të vështirë jashtë fushës sonë. Gjilanasit po luftojnë për të qëndruar në Superligë, kurse ne po luftojmë për një qëllim më të madh. Duhet të tregojmë pse jemi skuadra më e mirë në Kosovë”, ka thënë Kuç fillimisht.
“Ka mbetur edhe pak deri në fund të kampionatit. Besoj se kjo skuadër mund ta mbrojë titullin”, deklaroi Kuç.
Ndeshje të vështirë presin te Gjilani, por trajneri Gentjan Mezani dhe portieri Aridon Bllaca kanë thënë të shtunën se janë përgatitur maksimalisht për këtë duel.
“Jemi përballë një ndeshjeje shumë të rëndësishme për ne, siç kanë qenë të tjerat, siç do të jenë këto në të ardhmen. Skuadra është e detyruar në të gjitha mënyrat për të marrë rezultat pozitiv dhe mendoj që jemi të gatshëm për të bërë maksimumin. Për të marrë maksimumin në këtë ndeshje të radhës, që mendoj se do të jetë shumë e luftuar nga të dyja skuadrat për vetë faktin se të dyja kemi dy objektiva edhe pse janë të ndryshme, janë objektiva madhore për të dyja skuadrat. Ballkani që ka objektiv për t’u shpallur kampion dhe ne që kemi objektiv për të mbetur në Superligë për të mos e rrezikuar absolutisht këtë kampionat për skuadrën e Gjilanit”, ka thënë Mezani në konferencën për shtyp të shtunën.
Përkrah Mezanit në konferencë ishte edhe portieri i talentuar, Bllaca.
Bllaca synon pikët e plota po ashtu.
“Është një ndeshje shumë e vështirë. Ne vijmë nga një ecuri shumë e mirë e rezultateve. Jemi duke ushtruar 100 për qind dhe futemi për rezultat pozitiv”, theksoi ai.
Të dielën në program për t’u luajtur janë edhe ndeshjet Prishtina – Llapi dhe Dukagjini – Drita.
Llapi e Drita kanë nga 58 pikë në vendin e dytë e të tretë. Çdo gabim në ndeshjet e ardhshme mund t’u kushtojë me humbje të titullit.