Futboll

Fillimi i ngadalshëm nuk e brengos Gjilanin

Futbollistët e Gjilanit

Skuadra e Gjilanit nuk e ka filluar mirë edicionin 2024/2025 në Superligën e Kosovës në futboll. 
Në tri xhirot e para ka dy barazime dhe një disfatë. Në hapje të kampionatit, Gjilani ishte mysafir i Llapit dhe barazoi me rezultatin 1:1. Me rezultat të njëjtë luajti edhe me kampionin në fuqi, Ballkanin, në ndeshjen si vendës. Ndërsa në xhiron e tretë u mposht nga Dukagjini në Klinë me rezultatin 2:1. 

Trajneri i Gjilanit, Ardian Nuhiu, vlerëson se në dy ndeshjet e para futbollistët e tij u paraqitën mirë. Për ndeshjen ndaj Dukagjinit, Nuhiu u shpreh se fati nuk ishte me ta. 

“Mendoj që janë bërë dy takime të mira, kurse te ndeshja e fundit personalisht mendoj që nuk ishte fati me ne, sepse përsëri ne shkuam në avantazh. Ndodhin gabimet të cilat i kemi bërë. Por jam i bindur se ne vetëm mund të mësojmë. Është mirë që ka ndodhur kaq herët dhe ka kohë për t’i rikuperuar këto pikë. Besoj fuqishëm te grupi, te kjo skuadër. Nga dita në ditë djemtë po stërviten në maksimumin e tyre. Po kërkojnë formën e tyre më të mirë dhe jam i bindur se do të vijë shumë shpejt. Dhe do të përmirësohemi”, ka thënë Nuhiu për KOHËN, të mërkurën. 

Gjilani ka synime të mëdha këtë edicion. Pas një krize të thellë, në edicionin e kaluar synimi ishte mbetja në elitë. Kjo u arrit, ndërsa ndryshimet në klub kanë vazhduar dhe tani synohet shumë më tepër. 

Mungesa e fitores në tri xhirot e para nuk ka bërë që te Gjilani të ndihen në presion. 

“Nuk jemi në presion të fitores së parë. Pa diskutim se ajo do të vijë. Më pëlqen grupi, më pëlqen skuadra, të punojmë në këtë formë, të luajmë ndeshjet me kaq shumë përgjegjësi. Kemi analizuar të tri ndeshjet, golat që kemi marrë. Realisht ndoshta kanë qenë gabime tona dhe jo që kundërshtari ka krijuar, sepse është analizuar në detajet më të vogla kundërshtari. Përveçqë është analizuar, pastaj edhe djemtë me përgjegjësinë më të madhe nuk kanë lejuar që kundërshtari të na rrezikojë”, ka thënë Nuhiu.  

Ai ka folur edhe për synimet që i ka me skuadrën e Gjilanit. Futbolli kosovar është shumë i njohur për Nuhiun, që për shumë vjet e drejtoi Dritën me sukses. 

“Synimet e Gjilanit gjithmonë do të jetë ndeshja e ardhshme. Jemi grup i ri, kemi futbollist të rinj. Për këto ditë sa jemi bashkë e shoh një zhvillim të jashtëzakonshëm te ta, një ngritje të madhe. Na ngelet vetëm të punojmë, të përmirësohemi nga ndeshja në ndeshje dhe jam i bindur se ky grup dhe kjo skuadër do të jetë lart në tabelë”. 

Ndeshjen e ardhshme Gjilani do ta ketë në udhëtim ndaj Suharekës. Ndeshja do të zhvillohet të dielën nga ora 16:00. 

Trajneri Nuhiu ka thënë se janë duke u përgatitur për ta fituar ndeshjen. Suhareka në fakt luan për herë të parë në Superligë, por ka nisur mbarë. Vlerësohet klub i organizuar, njëjtë si Gjilani, me synime të mëdha.

Nuhiu e vlerëson Suharekën, por pret maksimumin nga të përzgjedhurit e tij. 

Edhe kapiteni i Gjilanit, Edison Kqiku, beson që ndaj Suharekës do të arrijnë fitore. 

“Në çdo ndeshje ne futemi për fitore dhe besoj edhe në Suharekë do të shkojmë për fitore. Besoj që kemi kualitetin për të fituar”, u shpreh Kqiku. 

Gjilani vlerësohet prej skuadrave stabile në Superligën e Kosovës. Por është duke pritur shumë gjatë për trofe. Gjilanasit, po ashtu, presin që t’iu rinovohet stadiumi, proces që nuk duket afër.