Paris Saint-Germaini do ta nisë të premten periudhën e re pa Kylian Mbappen, por trajneri Luis Enrique është ballafaquar me pyetjet e njëjta nga e kaluara.
Mbappe në verë u transferua nga PSG-ja te Real Madridi.
Luis Enrique të enjten në konferencën për shtyp priste pyetje ndryshe, por ka menduar gabimisht.
Mbappe e nisi karrierën te Reali me gol të shënuar e me trofe të Superkupës së Evropës, pas fitores 2:0 ndaj Atalantas.
PSG-ja luan në udhëtim te Le Havre në ndeshjen e parë të kampionatit të ri, ndërsa në konferencë për shtyp, trajneri Luis Enrique u pyet nga një gazetar spanjoll nëse e kishte parë ndeshjen e Superkupës së Evropës.
“O Zot, spanjollët janë të mërzitshëm. Nuk e kam imagjinuar që do të më pyesni për Kylianin sërish”, ka thënë Luis Enrique.
“Nuk kam çfarë të fsheh. Gjithmonë e kam admiruar Kylian Mbappen. Ai është i veçantë dhe person i jashtëzakonshëm. I uroj më të mirën atij dhe uroj që Reali të humb ndaj nesh”, ka shtuar tekniku spanjoll.
PSG-ja duhet ta gjejë një golashënues tjetër të aftë si Mbappe, i cili në edicionin e kaluar shënoi 44 gola në 48 ndeshje.
“Nëse dikush do të shënonte 40 gola, do të ishte gjë e mirë. Por nga eksperienca ime, më mirë është që të kesh katër lojtarë që shënojnë nga 12 gola, e që do të ishin 48 në total. Mendoj se është sfidë e madhe. Kjo është sfidë që tregon se futbolli është sport kolektiv”, ka shtuar tutje Luis Enrique.
PSG-ja ishte pa humbje në udhëtim në edicionin e kaluar, ndërsa Le Havren e kishte mposhtur me vështirësi 2:0 në udhëtim, kurse kishte barazuar 3:3 në shtëpi.