Futboll

FFK: Ndeshja Ulpiana-Vllaznia ishte e kurdisur

Ulpiana – Vllaznia e Pozheranit

Foto nga ndeshja Ulpiana – Vllaznia e Pozheranit

Shtatë gola u shënuan në ndeshjen Ulpiana – Vllaznia të dielën në Lipjan. Ndeshjen e fitoi Vllaznia e Pozheranit me rezultatin 4:3. Por rezultati i kësaj ndeshjeje nuk do të regjistrohet nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK). Për më tepër, ndeshja e javës së 21-të në mes të Ulpianës dhe Vllaznisë nga FFK-ja  është konstatuar se ishte e kurdisur. 

“Bazuar në deklaratat e personave zyrtarë të FFK-së, nga shikimi i xhirimeve televizive të ndeshjes, analizimi i raporteve konfidenciale për rastin u konstatua se kemi të bëjmë me kurdisjen e rezultatit të ndeshjes, andaj konform nenit 81 të Rregullores së Garave anulohet ndeshja sipas detyrës zyrtare dhe kjo ndeshje regjistrohet si ndeshje e luajtur, rezultati i kësaj ndeshjeje nuk regjistrohet, gjegjësisht pikët dhe golat nuk regjistrohen në tabelat e klasifikimit të Ligës së Parë – Grupi B”, shkruan në arsyetimin e Komisionit të Garave të FFK-së.

KG e FFK-së ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj klubeve dhe personave të përfshirë në kurdisje. 
Përveç klubeve në procedurë disiplinore janë edhe zyrtari i klubit Ulpiana, Meriton Isufi dhe lojtarët Ridon Llugiqi, Gentian Emini dhe Samet Rexhepi. Po ashtu në procedurë është edhe zyrtari i klubit Vllaznia, Agon Pira.

Zyrtarët e klubeve, që garojnë në Grupin B të Ligës së Parë kanë mohuar kurdisjen, ndërsa do të kërkohet hetim nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Laureta Ulaj, zyrtare për Informim dhe Monitorim të Mediave të Prokurorisë Themelore në Prishtinë për KOHËN të enjten mbrëma ka thënë se nuk ka informatë nëse është nisur hetim për kurdisje të ndeshjes. 

Kryetari i Këshillit Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive, Besim Kelmendi, ka thënë se do të kërkohet hetim.

“Nëse nuk kanë filluar, unë nesër e dërgoj rastin në Prokurori Themelore. Nëse nuk e kanë filluar, por nëse e kanë filluar, atëherë ata e vazhdojnë. Kjo është një informatë publike që kemi për detyrë të hapim rast, pavarësisht a e ka lajmëruar dikush apo jo. Do të verifikohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë nëse është hapur rast”, ka thënë Kelmendi, i cili është edhe ushtrues i detyrës së kryeprokurorit.

Kryetari i klubit të futbollit Ulpiana, Jeton Gashi, e ka vlerësuar skandaloz dhe të njëanshëm konstatimin se ndeshja ishte e kurdisur. 

“Unë si kryetar i klubit të futbollit Ulpiana jam këtu shef dhe unë pyetem. Ulpiana nuk ka kurdisur, pare nuk ka marrë, pikë. Këtë e garantoj me jetë. Është vendim skandaloz, i njëanshëm. Ky është vendim hatri i dikujt. Ne do të vazhdojmë me avokat. Edhe ne kemi fakte dhe do të shohim çka do të bëhet. Tash do të bëhen gjërat e mëdha në futbollin e Kosovës. Nuk dua të flas tash, por kjo sa e di unë bëhet për herë të parë. Po bëhet se po i pengon Flamurtari të bjerë nga liga”, ka thënë Gashi të enjten mbrëma për KOHËN.

Ai ka thënë se është telefonuar nga persona, emrat e të cilëve nuk ka dashur t’i bëjë publikë, se i kanë thënë që ta fitojë ndeshjen ndaj Vllaznisë. “Më kanë telefonuar 100 persona, më kanë thënë ta fitojmë Vllazninë e Pozheranit. Lojtarët e mi nuk duan të luajnë, nuk kanë motiv. Rroga nuk iu kam dhënë, që tri ditë nuk më kanë dalë në stërvitje. Dhe nuk e di a do të dalin të luajnë në ndeshjen ndaj Ferizajt. Pjesën e parë kanë luajtur shumë mirë, ndërsa pjesën e dytë nuk e kam shikuar, sepse kam pasur rast në shtëpi. Kam shikuar incizimin dhe lojtari jonë qëndron i shtrirë kur na shënojnë golin e tretë. Lojtari jonë është shtrirë te penalltia, ata marrin topin nga gjysma dhe shënojnë gol. Pse gjyqtari nuk reagon. Referi jep penallti pa ekzistuar. Këto gjëra nuk po i sheh askush. Kujt po i pengon Ulpiana, nuk po e kuptoj, apo ndoshta që po u ndihmoj ekipeve të luajnë në Lipjan, që po i ndihmoj futbollit të Kosovës”, ka thënë Gashi. 

“Ky është një keqpërdorim i pozitave zyrtare të Komisionit të Garave, pasi që thirren në nenet të cilat s’ kanë të bëjnë me këtë ndëshkim pa asnjë fakt të vetëm për klubin tonë, nuk ka as inicim të hetimeve të organeve shtetërore komisioni i FFK-së apo personi i cili ka marrë këtë vendim duke marrë drejtësinë në dorën e tij, duke bërë konstatime jo të vërteta për klubin tonë”, shkruan në reagimin e Vllaznisë. 

Në reagim thuhet se zyrtari i FFK-së, Gazmend Bojniku, i ka kërkuar Ulpianës ta fitojnë ndeshjen. 
Është hera e dytë që FFK-ja konstaton për kurdisje të ndeshjes. Në vitin 2010 ishte konstatuar se ishte e kurdisur ndeshja mes Fushë Kosovës dhe Ulpianës, atë kohë e zhvilluar në kategorinë e dytë. Granit Kolshi që në atë kohë ishte portier i ekipit të Fushës së Kosovës kishte denoncuar se u ishte kërkuar lëshimi i ndeshjes. Fushë Kosova është pjesë e Superligës. Por gjasat i ka të vogla për mbijetesë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë së fundi ka nisur hetimet për kurdisje të ndeshjes që Ballkani e pati fituar 2:0 ndaj Dinamo Zagrebit në Ligën e Konferencës.

Hetime ka pasur edhe në të kaluarën. Por pak janë marrë vendime nga institucionet e thirrura për drejtësi.