Futboll

FFK-ja publikon skuadrat e Ligave të Para, Besa Peja në Grupin A

Besa e Pejës

Klubi i sapoformuar, Besa Peja

Besa Peja është pjesë e Grupit A të Ligës së Parë të Kosovës në futboll në edicionin 2024/2025.

Kjo bëhet e ditur përmes një grafike të publikuar të mërkurën nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK). Nuk është njoftuar zyrtarisht se si klubi i ri, Besa Peja, i paraqitur si projekt i rithemelimit të Besës së dikurshme të famshme nga Peja, është bërë pjesë e Ligës së Parë. Por besohet të jetë bashkuar me Phoenixin dhe të ketë zënë vendin e tij në kategorinë e dytë të futbollit kosovar.

Bashkimi i dy klubeve, i njohur më shumë si fuzionim, ndodh shpesh në futbollin kosovar. Por këto procese asnjëherë nuk janë transparente, ndërsa FFK-ja, që do të duhej të kujdesej për mbarëvajtjen e garave dhe informimin e publikut, nuk jep asnjë njoftim. Dhe kjo sjell situatën kur një klub i formuar vetëm një vit më parë të luajë në Superligë, pa respektuar avancimin nëpër liga.

Në fakt dy klube me emrin Besa kishin paralajmëruar kalimin në Ligën e Parë përmes bashkimeve me klube tjera. Por klubi, që në logo i shkruan SC Besa, duket të ketë hequr dorë.

Në Grupin A të Ligës së Parë janë edhe Drenica, Istogu, Liria, Mitrovica, Rahoveci, Rilindja 74, Trepça, Trepça ’89 e Vëllaznimi.

Ndarja gjeografike e skuadrave po ashtu lë për të dëshiruar. Vjet për shembull, dy skuadra nga i njëjti qytet luajtën në dy grupe të ndryshme.

Në Grupin B tani janë 2 Korriku, Dinamo, Flamurtari, Fushë Kosova, KEK-u, Kika, Prishtina e Re, Ramiz Sadiku, Vjosa e Vushtrria.

Në Ligën e Parë dyshohet se ka shumë kurdisje e parregullsi. Por pasi shumica e ndeshjeve nuk transmetohen në televizion, shpesh mbesin në heshtje. Edicionin e kaluar FFK-ja i përjashtoi nga Liga e Parë dy klube për kurdisje.