Futboll

FFK-ja paralajmëron padi dhe kallëzim penal ndaj KAS-it

FFK

Federata e Futbollit e Kosovës ka paralajmëruar padi dhe kallëzim penal ndaj Këshillit për Arbitrazh Sportiv (KAS) dhe do të njoftojë Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) me seli në Lozanë për vendimin që ka marrë në favor të klubit të futbollit Prishtina.

Prishtina nuk ishte licencuar nga FFK-ja për edicionin 2023/2024 të garave evropiane. Prishtina nuk e kishte pranuar këtë vendim dhe i ishte drejtuar Këshillit për Arbitrazh Sportiv (KAS) që funksionon në kuadër të Komitetit Olimpik të Kosovës. Dhe ky organ të martën ka vendosur se ankesa e Prishtinës kundër FFK-së ishte e bazuar. KAS-i ka vendosur të anulohet vendimi i 26 majit të vitit 2023, që nuk e licenconte Prishtinën.

FFK-ja e shkruan se vendimi cenon parimet e drejtësisë sportive dhe dëmton zhvillimin e futbollit.

“Fillimisht, vendimi i KAS-it nuk është nënshkruar nga të gjithë anëtarët e tij. Këtë vendim nuk e ka nënshkruar z. Fisnik Salihu, i cili është anëtari më i kualifikuar për interpretime ligjore në arbitrazh sportiv në kuadër të këtij paneli. Kjo e bën të qartë se vendimi nuk përfaqëson qëndrimin e të gjithë anëtarëve të panelit dhe reflekton mosmarrëveshje të brendshme. Vendimi është nënshkruar vetëm nga znj. Jehona Shyti, sekretare e z. Eroll Salihu dhe nga anëtari i KAS-it, i emëruar nga FC Prishtina. Kjo përbën konflikt interesi, pasi z. Salihu, i cili është shpesh i përfshirë në akuza ndaj FFK-së dhe aktualisht është në procedura gjyqësore kundër saj, ka caktuar si kryesuese të panelit sekretaren e tij, znj. Shyti”, shkruan në fillim të reagimit të FFK-së.

FFK-ja pretendon se në vendim janë injoruar pretendimet e paraqitura nga FFK-ja.

“Kjo qasje jo vetëm që bie ndesh me parimet e drejtësisë sportive, por tregon një përpjekje të dukshme për të penguar përfaqësimin e drejtë të çështjeve të FFK-së në KAS-it  të Komitetin Olimpik të Kosovës. Në vend që të analizonte fakte dhe argumente të bazuara, KAS ka anashkaluar përmbajtjen për çështje procedurale, gjë që tregon për qëllime dashakeqe dhe të njëanshme”.

Në reagimin e gjatë të FFK-së është përmendur edhe emri i Eroll Salihut. Salihu në të kaluarën ka qenë për shumë vjet sekretar i FFK-së. Salihu wshtw kryetar i KAS-it.

“Kemi vërejtur një ndikim të panevojshëm të individëve të përfshirë në KAS, në veçanti të z. Eroll Salihu, ish-sekretar i FFK-së, i cili vazhdimisht ka ndërhyrë dhe ka shfrytëzuar pozicionin e tij për të marrë vendime që e dëmtojnë FFK-në. KOK-u ka qenë i njoftuar për ndikimet e mundshme për shkak të z. Salihu, motivet e tij personale dhe mundësinë që ky proces të cenohet, por përkundër kësaj ka lejuar që KAS të marrë një vendim të kundërligjshëm”, shkruan tutje në reagim.

FFK i ka bërë thirrje Komitetit Olimpik të Kosovës dhe KAS-it të rishikojnë me kujdes këtë vendim dhe të shfaqin qartazi përkushtimin e tyre ndaj parimeve të drejtësisë sportive.

“FFK-ja, në ditët në vijim, do të adresojë këtë vendim pranë institucioneve të drejtësisë në Kosovë përmes një Padie dhe Kallëzimi Penal, si dhe do të njoftojë Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë. Ky veprim synon të parandalojë që individë brenda KAS-it të Komitetit Olimpik të Kosovës të abuzojnë me autorizimet ligjore për qëllime të hakmarrjes ndaj ish-punëdhënësve të tyre dhe për të mbrojtur integritetin e drejtësisë sportive në vend”.