Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar të mërkurën për organizimin e turneut kualifikues për Kampionatin Evropian U19, për vitin 2025.
“Federata e Futbollit e Kosovës në vazhdimësi po e dëshmon aftësinë dhe profesionalizmin e saj në organizimin e garave në nivel ndërkombëtar.
Këtë vit, Kosova ka nderin të jetë nikoqire e turneut kualifikues për Kampionatin Evropian për grupmoshat U19 për vitin 2025”, ka shkruar FFK-ja.
Federata e futbollit ka shtuar po ashtu se ndeshjet do të zhvillohen në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe në “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Kosova do të jetë në Grupin 10 bashkë me Spanjën, Austrinë dhe Ishujt Faroe, kurse ballafaqimet do të luhen më 13, 16 dhe 19 nëntor.