Futboll

FFK-ja mban Kuvendin e Punës, buxheti për vitin 2025 mbi 21 milionë euro

ffk

Federata e Futbollit e Kosovës e ka mbajtur të mërkurën Kuvendin e Punës. Në kuvend janë miratuar të gjitha raportet e po ashtu ndryshimet në Statut, bazuar në ligjin e ri për sport.

"Gjatë punimeve të kuvendit, delegatët shqyrtuan dhe miratuan raportin e punës dhe raportin financiar për vitin e kaluar, si dhe miratuan buxhetin për vitin 2025 që do të jetë mbi 21 milionë euro. Gjithashtu u votuan edhe disa ndryshime statutare të bazuara në Ligjin e ri për sport. Të gjitha pikat e rendit të ditës u aprovuan unanimisht", shkruan në njoftimin e FFK-së.

Sipas njoftimit të federatës, Kuvendi ka konfirmuar përkrahjen që ka kryetari i FFK-së, Agim Ademi.

"Delegatët rikonfirmuan mbështetjen e tyre për punën dhe vizionin e presidentit Agim Ademi dhe Komitetit Ekzekutiv, duke vlerësuar angazhimin dhe sukseset e arritura deri më tani".

Në Kuvend ishin edhe përfaqësuesit e FIFA-s, UEFA-s dhe FSHF-së.

Përfaqësuesi i FIFA-s, Marko Ferri, ka treguar se Federata Ndërkombëtare ka investuar 13 milionë dollarë në Kosovë, "përfshirë 1.5 milionë dollarë për implementimin e sistemit VAR dhe 800 mijë dollarë për ndërtimin e stadiumit në Hajvali".

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, foli për rritjen e futbollit kosovar.

“Ju falënderoj për ngritjen e futbollit, ju jeni baza e futbollit dhe pjesa qendrore e FFK-së. Ne do të vazhdojmë të jemi përkrah jush në të gjitha mënyrat, e veçmas me përkrahjen për infrastrukturë. Do të vazhdojmë me projektin tonë ambicioz që çdo 45 ditë të inaugurojmë një fushë të re, derisa shpresoj se falë mbështetjes nga UEFA shumë shpejt do ta kemi mundësinë që ndeshjet e Superligës të luhen në mbrëmje nën dritën e reflektorëve”, ka thënë Agim Ademi.