Feronikeli 74 ka marrë shtatë pikë nga katër ndeshjet e fundit dhe synon që formën pozitive ta vazhdojë edhe në kuadër të xhiros së 34-t të Superligës së Kosovës. Por për ta bërë një gjë të tillë, Feronikeli 74 duhet ta ndalë Dritën në Gjilan, skuadrën që po lufton për titull kampioni.
Drita - Feronikeli 74 luhet të dielën nga ora 15:00 në terrenin me bar sintetik në Gjilan.
Deri në fund të kampionatit kanë mbetur edhe tri xhiro për t’u luajtur. Drita në vendin e dytë ka 65 pikë, aq sa ka edhe Llapi i vendit të tretë. Ballkani është lider me 69 pikë. Feronikeli 74 është i shtati me 37 pikë.
Agron Bruqi, që në këtë edicion po luan si qendërmbrojtës te Feronikeli 74, ka thënë se po synojnë mbetjen në elitë, pa barazh.
“Besoj se kemi luajtur ndeshje shumë të mira, sidomos me ekipet që po luftojnë për titull, por do ta marrim ndeshjen me qetësi. Do të japim maksimumin për të arritur rezultat pozitiv. Kështu do t’i afrohemi edhe më shumë synimit që e ka klubi”, ka thënë Bruqi për KOHËN të shtunën.
Për Florent Avdylin, çdo pikë e fituar deri në fund të garës do të jetë ndihmesë në objektivat e skuadrës nga Drenasi.
“Çdo pikë e fituar për ne është shumë e vlefshme. Do ta bëjmë maksimumin për t’u kthyer me pikët e plota”, është shprehur Avdyli.
Drita që së fundmi u përball edhe me telashe jashtë fushës, fitoi në dy xhirot e fundit për të mbetur ende në garë për trofeun e çmuar.
Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, tha se Feronikeli 74 e ka marrë karakterin e trajnerit Shefki Kuqi dhe është kthyer në një skuadër që lufton shumë dhe gjithmonë e jep maksimumin.
“Jam i bindur se do të jetë një ndeshje mjaft e vështirë, mirëpo ne na intereson objektivi ynë. E dimë që edhe ata janë në presionin e pikëve, por ne duhet të japim maksimumin dhe të arrijmë tek objektivi për shkak se jemi akoma në garë. Kemi vendosur objektivin që në pesë ndeshjet e fundit, të bëjmë gjithçka që është e mundur për të arritur maksimumin e pikëve”, ka thënë Ramadani në konferencën për shtyp të shtunën.
Përkrah tij ishte sulmuesi Samson Ebuka Obioha, që ishte i shkurtër në përgjigje.
“Jemi gati për këtë ndeshje. Jemi gati në aspektin fizik dhe mental për të marrë tri pikë”, deklaroi ai.
Të dielën nga ora 15:00, Ballkani e pret Fushë Kosovën, ndërsa kandidati tjetër për titull, Llapi, e pret Malishevën. Dukagjini luan kundër Prishtinës ndërsa Gjilani përballet me Lirinë në Prizren. Liria dhe Fushë Kosova në edicionin tjetër do të bëjnë gara në kategorinë e dytë të futbollit të Kosovës.
Superliga – Java 34
E diel (15:00)
Liria – Gjilani
Llapi – Malisheva
Ballkani – Fushë Kosova
Dukagjini – Prishtina
Drita – Feronikeli 74
