Feronikeli 74 është skuadra e vetme që nuk ka shënuar fitore në edicionin aktual të Superligës së Kosovës në futboll. Dhe, fitoren e parë synon ta arrijë pikërisht ndaj Ferizajt, që ka seri prej dy fitoresh rresht në elitën e futbollit kosovar.
Skuadra nga Drenasi është në vendin e fundit me dy pikë, kurse Ferizaj në vendin e shtatë me dhjetë pikë.
Feronikeli 74 ka dy barazime e shtatë humbje. Por barazimi ndaj Dritës javën e kaluar ka rritur shpresat te skuadra nga Drenasi për fitoren e parë. Ndeshjen kundër Ferizajt e luan të premten nga ora 13:00 në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas. I takon xhiros së dhjetë.
Njëri prej lojtarëve kryesorë te skuadra e Feronikelit 74 është Hasan Hyseni. Hyseni e pranon se ekipi nuk e ka nisur mirë kampionatin, por shpreson që në ndeshjen e radhës të arkëtojnë pikët e plota.
“Po, e vërtetë që nuk e kemi nisur mirë kampionatin. Mirëpo, besoj se që nga ndeshja e nesërme do të nisim me rezultate pozitive”, thotë Hyseni për KOHËN të enjten, kur u pyet nëse Feronikeli 74 do ta fitojë ndeshjen e parë.
Ai e di edhe formën e mirë që po e kalon Ferizaj, sidomos në dy ndeshjet e fundit.
“Do të jetë e vështirë pasi kundërshtari vjen nga një fitore e rëndësishme. Por, ne do t’i qasemi takimit me seriozitetin më të madh dhe të arrijmë të marrim tri pikët e para dhe të vazhdojmë me fitore edhe në xhirot e ardhshme”, thotë sulmuesi i krahut.
Me ndeshjen e së premtes nis edhe faza e dytë e kampionatit. Edicionin aktual Ferizaj e kishte nisur me fitore pikërisht ndaj Feronikelit 74, 2:1. Më pas kishte një barazim e një seri prej pesë humbjeve të njëpasnjëshme. Por ekipi i drejtuar nga Arsim Abazi e ka gjetur formën e mirë në dy ndeshjet e fundit. Fitoi ndaj Dukagjinit 2:1 fillimisht, dhe më pas fitoi me të njëjtin rezultat edhe në udhëtim ndaj Gjilanit.
Kapiteni Edon Sadriu e kishte shënuar njërin prej dy golave të skuadrës së tij në ballafaqimin e fundit, ndërsa ishte zgjedhur edhe “Ylli i javës” nga FFK-ja.
“Forma ime e mirë është falë bashkëlojtarëve, të cilët po e japin më të mirën në çdo repart. Këtë javë kemi punuar mjaft mirë dhe e kemi analizuar kundërshtarin. Besoj se do ta japim maksimumin dhe besoj se do të dalim me pikët e plota”, ka thënë mesfushori Sadriu.
Ai u gëzohet edhe dy fitoreve rresht, ndërsa një tjetër do ta ngrinte përkohësisht Ferizajn në mesin e tabelës.
“Pas dy fitoreve rresht atmosfera ka ndryshuar për të mirë dhe besoj që njësoj do të vazhdojmë edhe ndaj Feronikelit 74 me këtë ecuri. Kundërshtari ende nuk ka fitore, por nuk është ekip për t’u nënçmuar”, ka deklaruar kapiteni i Ferizajt.
Xhiroja e dhjetë do të vazhdojë edhe të shtunën e të dielën me nga dy ndeshje.
Dukagjini në stadiumin “18 Qershori” do të luajë përballë kampionit në fuqi, Ballkanit, ndërsa Gjilani zhvillon derbin ndaj Llapit në terrenin me bar sintetik në Gjilan.
Malisheva – Drita dhe Suhareka – Prishtina zhvillohen të dielën. Edhe këto ballafaqime luhen nga ora 13:00.
Ballkani e Malisheva janë skuadrat e para në tabelë me nga 17 pikë, ndërsa Prishtina është e treta me 16 pikë, por me një ndeshje më pak të luajtur. Drita e Llapi kanë nga 14 pikë në vendin e katërt e të pestë. Por, Drita ka dy ndeshje më pak të luajtura.
Superliga – Java e 10-të
E premte (13:00)
Feronikeli 74 – Ferizaj
E shtunë (13:00)
Dukagjini – Ballkani
Gjilani – Llapi
E diel (13:00)
Malisheva – Drita
Suhareka – Prishtina
