Skuadra nga Drenasi, Feronikeli 74, ka marrë pikë të rëndësishme në garën për mbijetesë dhe e ka ndalur në barazim Ballkanin, kampionin e tri edicioneve të fundit në Kosovë.
Ndeshja e xhiros së 21-të e zhvilluar të premten në stadiumin e qytetit në Suharekë, u mbyll me rezultatin e barabartë, 1:1.
Hasan Hyseni në fundin e pjesës së parë shënoi për epërsinë e mysafirëve, ndërsa autogoli i Valeriy Stepanenkos në minutën e 65-të, e vendosi rezultatin përfundimtar të ndeshjes.
Ballkani me këtë barazim mbetet në pozitën e dytë me 37 pikë, ndërsa Feronikeli 74 në pozitën e fundit, ka 11 pikë.
Lidere është Drita me 44 pikë, me një ndeshje më pak të luajtur.
Te Feronikeli 74 të premten ndaj Ballkanit, në postin e trajnerit debutoi Granit Dërvisholli.
Ai u prezantua të premten, një orë para nisjes së këtij ballafaqimi.
Për Feronikelin 74 ishte pika e parë e fituar prej 22 dhjetorit të vitit të kaluar.
Humbi nga Ferizaj në ndeshjen e parë të stinorit pranveror, më pas u eliminua nga Kupa e Kosovës nga Prishtina e Re, dhe humbi edhe nga Llapi.
Ndërkohë, Ballkani mbetet pa fitore në dy ndeshjet e fundit. Humbi në xhiron e kaluar nga Gjilani.
Feronikeli 74 po e befason Ballkanin në Suharekë
Feronikeli 74 është duke e befasuar kampionin e tri edicioneve të fundit në Kosovë, Ballkanin.
Skuadra nga Drenasi, që po udhëhiqet nga trajneri Granit Dërvisholli, i cili u prezantua vetëm një orë para nisjes së këtij ballafaqimi, është në epërsi 1:0 pas pjesës së parë.
Ndeshja po zhvillohet në stadiumin e qytetit në Suharekë dhe i takon xhiros së 21-të të elitës së futbollit kosovar.
Hasan Hyseni e ka shënuar golin e vetëm, në fundin e pjesës së parë.