Klubi i futbollit Feronikeli 74 ka vendosur të tërhiqet nga Superliga e Kosovës. Vendimin për tërheqje nga garat elitare të Superligës, e kanë marrë, për, siç thuhet nga klubi i themeluar në vitin 2022, “pengesat dhe padrejtësitë të shumta nga referët”. Për më tepër, Feronikeli 74 ka mbetur edhe pa kryesi. Në njoftim thuhet se kryetari i klubit, Erlind Krasniqi dhe anëtarët e tjerë të kryesisë kanë dhënë dorëheqje.
Te klubi nga Drenasi pretendojnë se janë përballur me shumë padrejtësi në edicionin aktual. “Kupa është mbushur” të mërkurën në ndeshjen ndaj Llapit në Podujevë.
“Të nderuar futbolldashës, tifozë ‘Tigrat e Zi’, simpatizantë, lojtarë, trajnerë, donatorë dhe qytetarë të Drenasit, me keqardhje ju informojmë se FC Feronikeli 74 ka vendosur të mos vazhdojë më garat në këto rrethana ku, sipas nesh, referët po përcaktojnë rezultatin e ndeshjeve dhe jo loja në fushë. Prej kohësh kemi garuar me përkushtim dhe dinjitet, duke promovuar një futboll të pastër në Superligën e Kosovës. Pavarësisht pengesave dhe padrejtësive të shumta nga referët, besuam në zhvillimin ‘ferplej’ të sportit dhe në integritetin e FFK-së. Kjo, ndoshta, ishte gabimi ynë më i madh. Sot, pas përpjekjeve të shumta për të kërkuar drejtësi, pohojmë qartë: ‘Mjaft është mjaft!’”, shkruan në njoftimin e Feronikelit 74 për tërheqje nga garat.
Te klubi nga Drenasi inistojnë se nuk ka kthim prapa.
“Humbëm pikë, por kurrë nuk u ndiem humbës në fushë. Për ne, humbësi i vërtetë ishte referi kryesor, i cili shndërroi ndeshjet në një padrejtësi të rëndë. Përmes këtij vendimi publik, njoftojmë tërheqjen përfundimtare nga të gjitha garat e Federatës së Futbollit të Kosovës. Ky vendim është marrë pas analizave të shumta dhe përpjekjeve tona për të sjellë drejtësi, por, për fat të keq, kemi mbetur pa asnjë opsion tjetër”, shkruan tutje në njoftim.
Klubi nga Drenasi ka ftuar prokurorinë të hetojë gjyqtarët dhe sjelljet e tyre dhe të njëanshme.
“Në këto rrethana, bordi së bashku me presidentin tërhiqen nga klubi. Për të gjithë ne, Feronikeli 74 do të mbetet gjithmonë klubi i zemrës, por, në një ligë që nuk i respekton parimet e drejtësisë, ne nuk do të garojmë më”.
Pretendime se u dëmtuan rëndë në ndeshjen ndaj Llapit pati edhe kapiteni i Feronikelit 74. Ai të mërkurën bëri dy reagime brenda gjysmë ore me pretendimin se janë dëmtuar nga gjyqtarët e ndeshjes Llapi – Feronikeli 74.
Lladrovci fillimisht e ka quajtur turp ndarjen e drejtësisë, ndërsa në të dytin kërkoi përgjegjësi.
Feronikeli 74 edhe më herët ka reaguar ashpër për dëmtim.
Në fund të muajit të kaluar, presidenti i Feronikelit 74, Erlind Krasniqi, kishte hedhur akuza të rënda për Federatën e Futbollit të Kosovës, duke thënë se në Superligë ka dallavere të mëdha. Presidenti i Feronikelit 74’ pati pretenduar se synimi i FFK-së është ta nxjerrë nga liga klubin nga Drenasi.
KOHA ka kontaktuar Erlind Krasniqin, por ai nuk u është përgjigjur telefonatave. Telefonatave të KOHËS nuk u është përgjigjur as kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. FFK-ja e udhëhequr nga Ademi nuk ka dalë me njoftim deri në publikimin e këtij shkrimi.
Feronikeli 74’ ka mbetur pa fitore edhe pas 11 xhirove në Superligë. Zë vendin e fundit me tri pikë.Dhe, në rast se Feronikeli 74 përfundimisht nuk garon në edicionin aktual, atëherë kundërshtarëve të deritashëm të tij do t’u hiqen të gjitha pikët.
KOHA ka mësuar se Feronikeli 74 nuk e ka njoftuar zyrtarisht Federatën e Futbollit të Kosovës për tërheqje nga garat.
“Nuk ka dërguar deri tash asnjë shkresë zyrtare për tërheqje nga garat. Vetëm nëse zyrtarisht i drejtohet Federatës, merret si i përfunduar vendimi. Aktualisht vlerësohet vetëm si njoftim për tërheqje”, ka thënë për KOHËN një anëtar i FFK-së për KOHËN. Ai nuk ka dashur t’i zbulohet emri në publik.
Feronikeli 74 është themeluar në vitin 2022, ndërsa zuri vend në Ligën e Parë falë një fuzionimi shumë të dyshimtë, që nuk u sqarua asnjëherë.
Feronikeli 74 thirret në të kaluarën e klubit Feronikeli nga Drenasi, që ka ndalur aktivitetin. Shfrytëzon të gjitha asetet e klubit Feronikeli.
Ka hequr dorë vetëm nga borxhet shumë të mëdha të klubit të dikurshëm kampion nga Drenasi.