Futboll

Ferizaj kthehet në Superligë, Suhareka shkruan historinë

KF Ferizaj

Ferizaj dhe Suhareka janë dy skuadrat e para që kanë siguruar inkuadrimin në elitën e futbollit të Kosovës për edicionin e ardhshëm. Ferizaj dhe Suhareka e siguruan Superligën të shtunën pas fitoreve në ndeshjet e javës së 25-të, dy xhiro para fundit të kampionatit. Ferizaj në Prishtinë fitoi thellë 3:0 ndaj Flamurtarit, ndërsa Suharekës i mjaftoi fitorja 1:0 në udhëtim te Drenica. Golat për Ferizajn i realizuan Albion Kurtaj dhe Edon Sadriu, që shënoi dy herë. 

Ferizaj në Grupin A të Ligës së Parë u bë kampion me 60 pikë, tri më shumë se Prishtina e Re. Në xhiron e fundit, Ferizaj do të duhej të luante me Vllazninë e Pozheranit. Por përjashtimi nga garat i Vllaznisë, shkaku i kurdisjes së ndeshjes me Ulpianën, ka bërë që Ferizaj ta festojë titullin e kampionit. 

“I falënderojë të gjithë ata që na kanë motivuar, në sukseset e mia e të klubit. Rikthimi nuk ka qenë i lehtë marrë parasysh kualitetin dhe rritjen e cilësisë e kushteve në vitet e fundit. Liga e Parë po krahasohet me Superligën dhe suksesi mund të llogaritet shumë i madh. Është ende herët të bëjmë plane për Superligë, do të shikojmë se çfarë do të ndodh. Meritat për këtë rikthim janë të gjithë lojtarëve, kryesisë e tifozëve. Falë bashkëlojtarëve kam pasur paraqitje të mira edhe unë. Çdo sukses ia dedikoj babait tim”, ka thënë Betim Haxhimusa, sulmuesi i Ferizajt. 

Haxhimusa kontribuoi në këtë sukses të Ferizajt me 14 gola e 6 asistime. 

Ferizaj nuk kishte arritur në edicionin e kaluar që ta siguronte mbijetesën nëpërmjet barazhit. Ishte eliminuar nga Liria në ekzekutimin e penalltive 3:0. Njërën prej penalltive, portieri i Lirisë, Drilon Hodaj, ia kishte pritur pikërisht Haxhimusës. Por, sulmuesi i Ferizajt ka shtuar se Ferizaj nuk do të hyjë i dorëzuar dhe do të mundohet të bëjë paraqitje sa më të mira për një edicion të suksesshëm. 

KF Suhareka

Në ndeshjen tjetër, golin e vetëm të Suharekës ndaj Drenicës në udhëtim e realizoi Mevlan Zeka. 

Suhareka falë pikëve të plota e siguroi inkuadrimin direkt, pasi tani ka 53 pikë në vendin e parë, ndërsa Dinamo në vendin e dytë ka 46 pikë, dy xhiro para fundit. 

Për Suharekën, ky sukses është historik. Suhareka për herë të parë ka bërë gara në Ligën e Parë pas bashkimit me skuadrën A&N. 

Dhe që në tentimin e parë, suksesi ka qenë madhor. Trajneri i njohur i skuadrës suharekase, Arsim Thaqi, ka thënë se kjo është meritë e kryesisë dhe lojtarëve. 

“Nuk ka qenë e lehtë të bëjmë përmbysje prej 7 pikëve në fillim të këtij sezoni. Mirëpo, kushtet që na i ka ofruar klubi për përgatitjen e skuadrës si dhe përkushtimi i secilit lojtar në çdo ndeshje për fitore, ka bërë që para përfundimit të kampionatit, të dalim kampion. Shfrytëzoj rastin ta uroj gjithë qytetin e Suharekës për këtë sukses, kryesinë e klubit, bashkëpunëtorët e mi dhe gjithë lojtarët”, ka thënë trajneri Thaqi. 

Thaqi, trajner i shumë skuadrave të njohura në Kosovë, ka shtuar tutje se nuk e di të ardhmen nëse do të jetë ende në krye të suharekasve. Ai ka nënvizuar se do të bisedojë me klubin pas përfundimit të garës. 

Edhe një skuadër tjetër e ka rastin të inkuadrohet nga Liga e Parë, pas plejofit me skuadrën që përfundon në vendin e tetë në Superligë. 

Për ndeshjen e barazhit të Ligës së Parë në garë aktualisht janë Prishtina e Re dhe Dinamo, pasi zënë pozitat e dyta në Grupin A dhe B.

Liga e Parë - Grupi A
Liga e Parë - Grupi B