Trajneri i Ferizajt, Arsim Abazi, ka respekt për të kaluarën e lavdishme të Prishtinës. Ekipin “bardhekaltër” e vlerëson lartë. Por Abazi synon t’i gëzohet fitores së dytë në edicionin aktual të Superligës së Kosovës në futboll. Ndeshja Ferizaj – Prishtina zhvillohet të shtunën në terrenin me bar sintetik nga ora 16:00, dhe i takon javës së tretë të elitës së futbollit kosovar.
“E kemi nisur mirë kampionatin me një fitore e një barazim, por të shtunën e kemi një kundërshtar të fortë. Jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje pasi përballë e kemi një skuadër si Prishtina. Dhe ne do të futemi në lojë duke e dhënë maksimumin si në dy ndeshjet e para. Lojtarët janë të gatshëm për lojë dhe presim ndeshje të mirë nga të dyja skuadrat”, ka thënë të premten për KOHËN trajneri Abazi.
Ferizaj pas dy ndeshjeve të luajtura ka katër pikë. Fitoi ndaj Feronikelit 74 në shtëpi 2:1, ndërsa barazoi me Malishevën në udhëtim, 1:1.
Respekt për Ferizajn ka edhe ish-futbollisti i kësaj skuadre, Albin Krasniqi. Por, Krasniqi pret fitore ndaj Ferizajt.
“E vlerësoj ndeshje të vështirë duke e pasur parasysh ecurinë pozitive të Ferizajt në dy ndeshjet e para, por edhe kualitetet që posedojnë. Shpresojmë të jemi në ditën tonë më të mirë që të marrim pikët maksimale. Për mua do të ishte emocion i veçantë pasi që kthehem në shtëpinë time, por tani si kundërshtar”, ka deklaruar Krasniqi për faqen zyrtare të Prishtinës.
Prishtina në edicionin aktual e ka zhvilluar vetëm një ndeshje. Luajti pa gola në ndeshjen e xhiros së parë ndaj Suharekës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, pas një kohe të gjatë. Ndeshja e xhiros së dytë në shtëpi ndaj Dritës është shtyrë për një datë tjetër.
Katër ekipe janë në vendin e parë me po aq pikë të fituara nga dy ndeshjet e para.
Prijnë Llapi, Ballkani e Suhareka për shkak të goldallimit më të mirë me tri gola të shënuar e një të pranuar. Ferizaj është i katërti me po aq gola të shënuar, por dy të pranuar.
Të shtunën, Llapi e pret Malishevën në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Dukagjini – Gjilani dhe Ballkani – Feronikeli 74 janë ndeshje që do të luhen të dielën, e që nisin po ashtu nga ora 16:00.
Ndërkohë, ndeshja Drita – Suhareka është shtyrë për një datë tjetër, për shkak të angazhimit të gjilanasve në plejofin e Ligës së Konferencës.
E shtunë 16:00
Ferizaj – Prishtina
Llapi – Malisheva
E diel:
Dukagjini – Gjilani
Ballkani – Feronikeli 74
Drita – Suhareka (shtyhet)
1. Llapi 2 1 1 0 3:1 4
2. Ballkani 2 1 1 0 3:1 4
3. Suhareka 2 1 1 0 3:1 4
4. Ferizaj 2 1 1 0 3:2 4
5. Gjilani 2 0 2 0 2:2 2
6. Malisheva 1 0 1 0 1:1 1
7. Prishtina 1 0 1 0 0:0 1
8. Drita 0 0 0 0 0:0 0
9. Feronikeli 74 2 0 0 2 1:4 0
10. Dukagjini 2 0 0 2 1:5 0