Futboll

Federata angleze hap hetimet për rastin me policët grekë

Federata angleze

Federata angleze e futbollit ka filluar hetimet pasi tifozët e Anglisë u ankuan se Policia greke kishte përdorur gaz lotsjellës ndaj tyre para fillimit të ndeshjes Greqi - Angli.

Anglia të enjten në mbrëmje e mposhti Greqinë me rezultatin e thellë 3:0. Ndeshja u zhvillua në Athinë dhe ishte e vlefshme për Grupin 2 të Ligës B të Ligës së Kombeve.

Në përkrahje të Anglisë në ndeshjen ndaj Greqisë ishin 3500 tifozë.

“Ne jemi të vetëdijshëm se disa nga tifozët tanë patën një përvojë të vështirë jashtë fushës dhe po marrin më shumë informacione se çfarë ka ndodhur saktësisht”, ka thënë një zëdhënës i Federatës angleze, shkruan të premten “Reuters”.

Anglia dhe Greqia i prijnë grupit me nga 12 pikë.

“Tre Luanët” ndeshjen e fundit e kanë ndaj Irlandës, të dielën. Të dielën luan edhe Greqia ndaj Finlandës.