Futboll

FC Mitrovica mund të mburret që ka një reprezentues të rëndësishëm

Yonis Abdirizak Farah

Dion Gallapeni i Prishtinës ishte i ftuar te Kosova për dy ndeshjet me Islandën. Pas lëndimit të Aro Muriqit, u ftua edhe portieri i Dritës, Faton Maloku. 

Klubet e tjera të Superligës nuk përfaqësohen me lojtarë në përfaqësuesen e Kosovës e me shumë gjasë shumica as në përfaqësuese të tjera. 

Por një klub i Ligës së Parë të Kosovës në futboll e ka në radhët e veta një reprezentues. Madje të rëndësishëm.

Bëhet fjalë për Yonis Abdirizak Farah, që luan për klubin Mitrovica e po ashtu për përfaqësuesen e Somalisë. Mbrojtësi 25-vjeçar i krahut të majtë startoi te Somalia në fundjavë në ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës 2026. 

Në Bregun e Fildishtë, Somalia barazoi pa gola me Guinenë. Farah luajti deri në minutën e 65-të në krahun e majtë, ndërsa u shqua edhe për disa ndërhyrje vendimtare.

Somalia është përfaqësuese inferiore në futbollin afrikan. Pika ndaj Guinesë ishte e para në kualifikimet për Botëror. Megjithatë, për një futbollist të kategorisë së dytë të Kosovës është sukses që paraqitet për një përfaqësuese.

“Jam i lumtur që kam dhënë kontribut për të ndihmuar vendin tim. Por nuk isha vetëm unë, ishte angazhimi i gjithë ekipit që solli barazimin”, ka thënë Farah për KOHËN, të hënën. 

Ai është transferuar te Mitrovica në fillim të muajit shkurt. Kjo skuadër është e fundit në Grupin A të Ligës së Parë. Në 19 ndeshje ka mbledhur tetë pikë.

Mitrovica ka edhe të huaj të tjerë, por Farah është më i njohuri.

“Kalimi te Mitrovica është hap i mirë për karrierën time. Është platformë e mirë për mua për të arritur më lart. Dua të falënderoj presidentin e klubit dhe stafin për mundësinë e dhënë dhe po ashtu menaxherin tim, Elvis Bicaj”, ka shtuar 25-vjeçari Farah.

Ai është i lindur në Londër. Ka luajtur për skuadra të ndryshme në Angli, por jo të nivelit të lartë. Ka bërë karrierë edhe në Norvegji e Suedi, ndërsa karriera e solli te Mitrovica.

Aktualisht është në Botsuanë, ku Somalia të martën e luan ndeshjen e ardhshme kualifikuese për Botëror. Somalia është në grup me Algjerinë, Mozambikun, Guinenë, Botsuanën dhe Ugandën. Ka një pikë nga pesë ndeshje.

“Përfaqësuesja, natyrisht, është e nivelit të lartë. Ka lojtarë që luajnë në nivelet më të larta në vende si Kanadaja, Malta, Norvegjia, Finlanda, Mali i Zi dhe vende të tjera. Për mua është nder të prezantoj vendin tim. Prindërit e mi janë nga Somalia dhe ëndërr e çdo djaloshi është të përfaqësojë vendin e tij një ditë. Kështu që jam shumë i lumtur që mund ta bëj këtë”, ka thënë Yonis Farah.

Ai ka debutuar për Somalinë në vitin 2019, në fitoren 1:0 ndaj Zimbabvesë. Ishte fitorja e parë e Somalisë në kualifikimet për Botëror. Tashmë i ka shtatë ndeshje.

Ka shkrime që futbollisti i Mitrovicës është kushëri i atletit të njohur britanik, Mo Farah. Ai është me prejardhje nga Somalia, ndërsa vlerësohet prej atletëve më të mirë të dekadave të fundit.