Futboll

Fazlija: Sfida kryesore do të jetë në Rumani, pezullimi i futbollistëve ishte i rëndë

Afërdita Fazlija

Ish-përzgjedhësja e Kosovës, Afërdita Fazlija, ka deklaruar se Qipro nuk ishte testi i denjë për të vlerësuar cilësinë e Kosovës, duke u shprehur se futbollistët kosovarë bënë goxha gabime të hënën.

Ajo ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së se duhet të shihen edhe disa lëshime që u bënë.

“Qipro nuk është test i denjë për t'u vlerësuar cilësia që e ka përfaqësuesja e Kosovës. Edhe në këtë ndeshje mbetet të shihen masa dhe të vlerësohet ndeshja. Gjatë lojës pati shumë gabime. Lirisht me një kundërshtar të tillë kam pritur të jetë një ndërtim më i mirë i lojës, gabimet kanë qenë të dyanshme. Herët kemi shënuar dhe kemi qenë në epërsi. Te Kosova nuk kemi parë stabilitet dhe qetësi përballë një kundërshtari që mendoj se nuk është i rangut të Kosovës”, ka deklaruar Fazlija.

Sipas saj, reparti i sulmit ka qenë më i miri të hënën, por që edhe mbështetja e mbrojtjes dha rezultate të mira.

“Nuk do të jetë problem loja me Qipron në Kosovë dhe dy lojërat me Lituaninë. Sfida kryesore që duhet të përgatitemi do të jetë loja direkte në Rumani”, ka shtuar trajnerja.

Për pezullimin e Edon Zhegrovës, Aro Muriqit dhe Florent Muslisë, Fazlija ka deklaruar se vendimi i FFK-së ishte i rëndë.

“Ka qenë ngjarje e rëndë për kombëtaren tonë. Unë kam qenë selektore dhe komentet që lojtarët duhet të përjashtohen që kanë shkelur një rregull, është prej federatave që ka më së paku transparencë. Mendoj se është vendim i rëndë, nuk e di çfarë rregullore kanë në dispozicion. Duhet të bëhet një rregullore e pranueshme edhe për ekipin profesional e edhe për lojtarët. Është lehtë të përjashtohen lojtarët, të paktën personalisht mendoj se tek unë, do të mund të ndodhte përjashtimi nëse kishin probleme fizike dhe është dashur fizikisht ata të largohen. Nuk e di që ka qenë vendimi më i mirë, s'pajtohem të shkelet rregullorja”, ka shtuar ajo.

Ajo ka shtuar se Zhegrova mund ta ketë të vështirë kthimin te Kosova “për shkak të imazhit të dëmtuar”.