Futboll

“Fadil Vokrri” mbyllet sërish, ka akuza për keqpërdorim

Stadiumi Fadil Vokrri

Foto: Driton Paçarada

“Arsyetimet e trajnerit të Legias se për shkak të fushës së dobët nuk patëm lojë, nuk qëndrojnë, sepse të gjithë e dinë se fusha është hibride dhe e standardeve më të larta, prandaj konstatimet e tilla nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin”. Por, realiteti doli të jetë ndryshe nga ajo që shkroi kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, një ditë pasi trajneri dhe një lojtar i Legia Varshavës vlerësuan se gjendja e fushës në stadiumin “Fadil Vokrri” ishte shumë e keqe.

Madje një lojtar i skuadrës polake pas ndeshjes së zhvilluar më 29 gusht tha se vrapimi në fushë ishte “si në beton”.

Për gjendjen e keqe të fushës foli edhe selektori i Kosovës, Franco Foda. Foda tha se gjendja e fushës “nuk është më e mira e mundshme”. Për gjendjen e keqe të fushës, që shtetit i kushtoi 1.3 milionë euro, u fol edhe nga kampi rumun.

Për fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” u fol edhe të enjten. U njoftua nga FFK-ja se 
është rekomanduar nga ekspertët e fushave të UEFA-s se duhet kryer ende punë për të qenë në gjendje të mirë për lojë.

Tugrul Hocaoglu, doktor i agronomisë dhe ekspert i fushave nga UEFA, i cili ka qenë përgjegjës për stadiumet e finales së Ligës së Kampionëve, ka shpjeguar se bari natyral është në proces rritjeje në “Fadil Vokrri” dhe duhet kohë për të qenë plotësisht i gatshëm.

“Kushtet e motit janë në favor të këtij procesi dhe do të punohet intensivisht për një muaj të plotë. Gjatë kësaj kohe, fusha do të mbetet e mbyllur për çdo aktivitet, derisa të rikuperohet plotësisht”, tha Hocaoglu.

Aktivitetet në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” do të rikthehen për ndeshjen e radhës të Kosovës më 15 tetor.

“Të gjithë e kemi përjetuar një periudhë shumë sfiduese me mot tepër të nxehtë, mbi 42 gradë Celsius, që ka ndikuar negativisht në rritjen e barit. Megjithatë, tani kushtet janë ideale për rritjen e tij për sezonin e ftohtë, posaçërisht për llojin e barit Gramina, i cili është mbjellë në këtë fushë. Kemi marrë të gjitha masat e nevojshme dhe kemi mbjellë fara shtesë për të siguruar një fushë të qëndrueshme dhe të pranueshme për ndeshjet e ardhshme”, theksoi Hocaoglu.

Ndërkohë, Bulent Koprulu, përfaqësues i kompanisë që ka kryer punimet në fushë, sqaroi se periudha e rikuperimit do të zgjasë 25 ditë. 

“Gjatë kësaj periudhe nuk do të ketë as ndeshje, as seanca stërvitore, për të mos dëmtuar barin. Çdo ndërhyrje në këtë fazë do të kërkonte më shumë kohë për rikuperim, ndaj është vendosur një pushim deri sa bari të jetë gati dhe pastaj do të vazhdohet me orarin normal të aktiviteteve”, tha ai.

Të pranishëm gjatë vizitës së ekspertit të fushave të UEFA-s ishin edhe ministri i Sportit, Hajrulla Çeku, dhe kryetari i FFK-së, Agim Ademi. Të dy kishin vlerësuar se fusha është e standardit të lartë. 

Në një postim më 28 gusht, ministri Çeku kishte thënë se me investimin e ri stadiumi “Fadil Vokrri” është gati të mirëpresë “ndeshje të mëdha në një fushë që plotëson standardet më të larta ndërkombëtare”.

Edhe kryetari Ademi ishte shprehur se me rinovimin fusha e “Fadil Vokrrit” është e standardeve të larta.

Por me gjithë lavdet nga përgjegjësit, gjendja e fushës u kritikua menjëherë pasi u provua. Madje edhe para se të nisnin punimet. Ishte deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili kishte kritikuar se po abuzohet me buxhetin e shtetit. Ai edhe sot ka dyshime se buxheti i shtetit është keqpërdorur. 

“Nga fillimi është parë se është projekt me shumë dyshime për keqpërdorime, pasi që kompania që ka fituar tenderin vetëm 18 ditë para hapjes së ofertave është regjistruar. Përfaqësuesit e kompanisë që ka fituar projektin janë takuar me ministrin Çeku dhe kjo është shkelje ligjore. Çmimi i fushës është shumë i lartë dhe i punuar shumë keq. Kompania e njëjtë ka ofruar çmim shumë më të ulët për afro 1 milion euro më lirë në stadiumin ‘Adem Jashari’ për bar hibrid në krahasim me stadiumin ‘Fadil Vokrri’. Investimi i njëjtë në ‘San Siro’ ka kushtuar 500 mijë euro, në ‘Fadil Vokrri’ 1.3 milionë euro. Shikojeni kualitetin e barit në ‘San Siro’ dhe ‘Fadil Vokrri’”, ka thënë Haxhiu të enjten për KOHËN.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në rregullimin e fushave me bar natyral. Ai krenohet me fushën që ka stadiumi “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

“Deri tani nuk kam dashur të flas për këtë pjesë, por tani jam i gatshëm që të ndihmoj të gjitha klubet sportive, në koordinim me Ministrinë, kuvendet komunale dhe Federatën e Futbollit, për të rregulluar fushat me bar natyral, nga zero deri në përfundim, pa asnjë fitim personal – vetëm për të mbuluar shpenzimet e ekipit tim. Këtë dua ta bëj për hir të futbollit kosovar. Në këtë mënyrë nuk do të keni nevojë të shpenzoni miliona dhe ato mjete mund të investohen për ndriçimin e 10 fushave të Superligës. Ekipi që kam krijuar në kompaninë time ka përvojën e duhur dhe një staf profesional për të ndërtuar fushat sipas standardeve të UEFA-s dhe FIFA-s, me një kosto shumë të ulët – vetëm për të ndihmuar futbollin kosovar. Nuk duhet të angazhohen kompani që nuk kanë ide të qarta për ndërtimin e fushave sportive”, ka shkruar Batatina.

Fusha e stadiumit të qytetit të Prishtinës pas rinovimit u testua me ndeshjen e futbollisteve të Kosovës dhe Ukrainës, ndeshje e cila u takoi kualifikimeve për “Euro 2025”. Në “Fadil Vokrri” luajtën ndeshje ndërkombëtare edhe Ballkani dhe Drita, si dhe kampionale Prishtina.