Stadiumi “Fadil Vokrri” nuk do të ketë asnjë aktivitet sportiv për 25 ditët e ardhshme pasi do të punohet për ta kompletuar rritjen e barit natyral, ka njoftuar Federata e Futbollit të Kosovës të enjten, anipse nuk janë mbushur ende dy javë që kur u njoftua se në stadiumin në kryeqytet kishte përfunduar rinovimi.
Sipas njoftimit të FFK-së, kjo është rekomanduar nga ekspertët e fushave të UEFA-s.
Tugrul Hocaoglu, doktor i agronomisë dhe ekspert i fushave nga UEFA, i cili ka qenë përgjegjës për stadiumet e finales së Champions League, sipas njoftimit, ka shpjeguar se bari natyral është në proces rritjeje në “Fadil Vokrri” dhe për këtë është e nevojshme kohë.
“Momentalisht, moti që po mbretëron është në favor të këtij procesi dhe puna do të kryhet intensivisht për një muaj. Në 25 ditët e ardhshme, duke filluar nga dita e sotme, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, nuk do të ketë asnjë aktivitet sportiv, as ndeshje as seanca stërvitore, sepse fusha do të punohet për të arritur qëllimin e të gjithëve, kompletimin e fushës hibride me rritjen e barit natyral në të”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Aktivitetet në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” do të rikthehen për ndeshjen e radhës të Kosovës më 15 tetor.
Përveç ekspertëve të UEFA-s, stadiumi u vizitua edhe nga ministri i Sportit, Hajrulla Çeku dhe kryetari i FFK-së, Agim Ademi - të dy patën vetëm fjalë të mira për punën që ishte bërë në stadiumin në Prishtinë.
Në një postim më 28 gusht, ministri Çeku kishte thënë se me investimin e ri, stadiumi “Fadil Vokrri” është gati të mirëpresë “ndeshje të mëdha në një fushë që plotëson standardet më të larta ndërkombëtare”.
“Fusha e re është ndërtuar duke përdorur sistemin hibrid, i cili është fjala e fundit e teknologjisë në botë. Ky sistem garanton qëndrueshmëri dhe performancë të lartë të fushës në çdo kusht atmosferik. Përveç sistemit hibrid, stadiumi tani ka një sistem të përparuar të drenazhimit dhe ngrohjes, i cili siguron që fusha të jetë gjithmonë në gjendje optimale për lojë. Pajisjet e specializuara për mirëmbajtje janë blerë dhe stafi është trajnuar për t’u siguruar që fusha të mbetet në kushte të përsosura për çdo ndeshje. Investimi i përbashkët me Federatën e Futbollit të Kosovës ka vlerën 1.3 milionë euro, ndërsa u realizua nga një kompani e certifikuar nga FIFA, me përvojë të gjerë në ndërtimin e fushave hibride në të gjithë botën”, pati shkruar në postimin e ministrit Çeku.
Edhe kryetari Ademi ishte shprehur se me rinovimin fusha e “Fadil Vokrrit” është e standardeve të larta.
“Edhe pse gjatë punimeve të kësaj fushe ka marrë kohë me temperatura shumë të larta, fusha është në gjendje shumë të mirë. Arsyetimet e trajnerit të Legias se për shkak të fushës së dobët nuk patëm lojë nuk qëndrojnë, sepse të gjithë e dinë se fusha është hibride dhe e standardeve më të larta, prandaj konstatimet e tilla nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin. Fusha është aty dhe mund të vizitohet nga çdokush dhe të kënaqet me një fushë e cila është e kualitetit të fundit. Falënderojmë MKRS-në dhe ministrin Hajrulla Çeku për investimin në këtë fushë, e cila ka arritur standarde të shkëlqyeshme”, pati shkruar Ademi në një postim në rrjetet sociale.
Por me gjithë lavdet nga përgjegjësit, gjendja e fushës u kritikua menjëherë pasi u provua.
Së fundmi lojtarët e Rumanisë që zhvilluan ndeshjen e Ligës së Kombeve ndaj Kosovës patën kritika për terrenin e “Fadil Vokrrit”. Ngjashëm deklaroi edhe trajneri i “Dardanëve”, Franco Foda.
Terreni i “Fadil Vokrrit” u rinovua plotësisht këtë vit për 1.3 milionë euro.