Trajneri i Paris Saint-Germainit, Luis Enrique, e ka vlerësuar lartë skuadrën e Aston Villas.
Parisi të mërkurën nga ora 21:00 e pret Villan në çerekfinalen e parë të Ligës së Kampionëve. Ndeshja e kthimit do të luhet më 15 prill.
Enrique ka theksuar se Villa është me shumë meritë në çerekfinale pasi ka skuadër shumë të mirë.
"Janë tetë skuadra që janë në çerekfinale sepse e meritojnë. Nëse Aston Villa është në çerekfinale do të thotë se e meriton. Aston Villa është një ekip shumë i mirë me lojtarë të mirë. Është ekip që duket si ne, me shumë lojtarë të gjithanshëm. Është e vështirë të dihet se kush do të luajë, veçanërisht pas afatit kalimtar të dimrit ku Aston Villa është forcuar në mënyrë të mirë. Do të jetë një ndeshje e hapur dhe e vështirë për të dyja skuadrat”, deklaroi Enrique të martën në konferencë për shtyp.
Parisi së fundi e siguroi titullin e kampionit në Francë.
Aston Villa në elitën e futbollit anglez renditet në pozitën e shtatë me 51 pikë.