Futboll

Ëndrrat e realizuara të Vedat Muriqit

Vedat Muriqi

Nëse Vedat Muriqi do të thoshte kur ishte 16 vjeç se do të luante një ditë ndaj Real Madridit, nuk do ta merrnin seriozisht. Por, nëse ai do të shkonte edhe më tej se do t’i shënonte gola gjigantit spanjoll, do t’i thoshin se mund të jesh duke ëndërruar. 

Askush nuk mendonte vërtet se mund të kishte karrierë të suksesshme, por thjesht do të luante sa për t’u argëtuar. Por, sulmuesi 30-vjeçar i Mallorcas i ka bërë realitet të dyja. 

Nga viti 2022 ka luajtur pesë ndeshje përballë yjeve te Real Madridi, ndërsa i ka shënuar dy gola. Të dielën shënoi golin e dytë ndaj gjigantit spanjoll në barazimin 1:1, kurse të parin para dy vjetësh në “Santiago Bernabeu”.

Megjithatë, Muriqi ka kaluar shumë pengesa për t’u paraqitur në nivelet më të larta të futbollit. 
Muriqi është krenar me arritjet e tij si futbollist. Ai të enjten për KOHËN ka theksuar se është privilegj të ndajë fushën me yje botërorë.

“Ndihem krenar me veten, pasi kam arritur t’i shënoj gol Real Madridit, skuadrës të cilën si fëmijë e kam përcjellë nëpërmjet televizorit. Dhe sot të ndaj fushën me lojtarët që bartin fanellën e Realit është krenari dhe privilegj shumë i madh. Jam shumë i lumtur, por nuk mjafton me kaq, duhet të vazhdoj të shënoj sa më shumë gola deri në fund të kampionatit”, ka thënë Muriqi për KOHËN.

Sulmuesi kosovar do ta vlerësojë të dielën si një prej netëve më të mira të karrierës së tij.

“Pirati” i Mallorcas u vlerësua për paraqitjen nga trajneri dhe bashkëlojtarët e tij. Por lëvdata mori edhe nga një prej lojtarëve me më së shumti trofe. 

“Cavajali më përgëzoi për paraqitje të mirë dhe të vlerësohem nga ky lojtar që për tre muaj ka fituar tre trofe është krenari për mua”, ka shtuar Muriqi.

Ai në vitin 2010 bëri debutimin e tij si adoleshent te Liria e Prizrenit. Luajti për Teutën e Durrësit dhe Besën e Kavajës para se të merrte rrugën drejt Turqisë. Në Turqi ai luajti për Giresunsporit, Gençlerbirligin, Rizesporin dhe klubin e madh turk, Fenerbahçe. Nga Feneri për një hap tjetër të madh në vitin 2020. U transferua te skuadra e Lazios. Ai nuk la gjurmë në Itali. Këtë e pranon edhe vetë sulmuesi i parë i Kosovës.

“Jam shumë i kënaqur, pasi kam pasur rastin ta tregoj veten pas një periudhe të keqe në Itali. Te Mallorca jam rritur shumë si futbollist, kam fituar shumë eksperiencë. Kjo skuadër më ka dhënë shumë”, ka theksuar ai.

Muriqi e vlerëson sukses të madh paraqitjen me Mallorcan në finale të Kupës së Spanjës. Tjetër finale synon me Mallorcan, së cilës iu bashkua në vitin 2022. Nuk fsheh dëshirën për ta fituar trofeun e parë me klubin spanjoll.

“Duhet të jemi realistë sa u përket synimeve. Nuk mund të themi se mund ta fitojmë titullin, pasi është jashtëzakonisht e vështirë. Por, dua ta fitoj edhe një finale të Kupës. Ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme dhe shpresoj të mos kemi probleme për mbijetesë dhe të luajmë edhe një finale”, thotë Muriqi. 

Muriqi konfirmon interesimin nga skuadrat turke. Por, ka shtuar se te Mallorca ka gjetur qetësinë shpirtërore.

“Janë ekipe që interesohen, sidomos në Turqi. Kemi pasur kontakte. Kam pasur oferta të mira nga ana ekonomike, por nganjëherë është e rëndësishme të kesh qetësinë shpirtërore sesa të fitosh nga ana ekonomike, kështu që nuk besoj se do të ketë ndonjë lëvizje. Vitin e ardhshëm hyj në vitin e fundit të kontratës dhe pastaj të shohim se çfarë do të ndodhë. Por, për momentin nuk mendoj largimin gjatë këtij afati kalimtar”, ka thënë Muriqi. 

Muriqi ka plane të mëdha edhe me Kosovën. Por, para se t’u bashkohet “Dardanëve” për ndeshjet e para të edicionit të ri të Ligës së Kombeve në shtator, Muriqi synon tjera gola me Mallorcan. Ai mburret që luan për Kosovën.

“Do të fillojmë një cikël të ri. Është shumë i rëndësishëm për ne. Kundërshtarja e parë është Rumania, të cilën e njohim shumë mirë, pasi kemi luajtur dy ndeshje në kualifikimet e Evropianit. Me mbështetjen e tifozëve tanë, ‘Dardanëve’, t’i fitojmë pikët e plota. Nëse mund ta nisim me fitore ndaj Rumanisë, nuk them se do ta kemi lehtë, por me këtë eufori dhe vetëbesim do ta kemi pastaj më të lehtë përballjen me Qipron. Dy ndeshje gjashtë pikë mund të jetë përparësi e madhe për neve për të fituar grupin”, ka thënë Muriqi. 

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll e nis në shtëpi rrugëtimin e saj në Ligën e Kombeve të UEFA-s. Për kundërshtare të parë do ta ketë Rumaninë.

Ndeshja Kosova - Rumania luhet më 6 shtator në “Fadil Vokrri”. Tri ditë më vonë luan ndaj Qipros në udhëtim.

Më 12 tetor do ta zhvillojë një tjetër ndeshje në udhëtim. Për kundërshtare do ta ketë Lituaninë.
Më 15 tetor e pret Qipron, ndërsa dy ndeshjet e fundit të Grupit 2 të Ligës C do t’i ketë në nëntor.
Më 15 nëntor luan në udhëtim ndaj Rumanisë, derisa tri ditë më vonë e pret Lituaninë.

Për Kosovën kundërshtarët nuk janë të panjohur. Rumaninë e kishte në grupin kualifikues për “Euro 2024”, kurse Qipron në edicionin e tretë të Ligës së Kombeve.

Kosova barazoi pa gola ndaj Rumanisë në Prishtinë më 16 qershor, ndërsa humbi në Bukuresht më 9 shtator me rezultatin, 2:0.

Kosova pati telashe në Bukuresht, në ndeshjen që e pati zhvilluar në shtator. Ndeshja ishte ndërprerë në minutën e 18-të, kur një grup huliganësh rumunë në stadium pati shfaqur panon “Kosova është Serbi”. Ndeshja më pas nuk pati vazhduar për plot 50 minuta.

Në edicionin e kaluar të Ligës së Kombeve, Kosova fitoi dy ndeshjet e saj përballë Qipros. E mposhti në udhëtim 2:0 më 2 qershor, ndërsa fitoi 5:1 në Prishtinë më 27 shtator. Pati fituar në miqësore ndaj Gjibraltarit 1:0 më 10 tetor të vitit 2019. Fitore pati shënuar edhe ndaj Lituanisë. E pati mposhtur thellë 4:0 në mars të vitit 2021.