Futboll

Emërllahu te Cluji - “gjashtëshi më i mirë i transferuar në Rumani”

Lindon Emërllahu

Pronari i klubit rumun, Cluj, Nelu Varga, ka lavdëruar shumë mesfushorin Lindon Emërllahu.

Udhëheqësi i klubit të madh rumun ka thënë se Emërllahu është “ndoshta numri 6 më i mirë që ka ardhur ndonjëherë në Rumani”.

Varga tregoi se ka paguar 700 mijë euro për lojtarin që ka zhvilluar 100 ndeshje me fanellën e Ballkanit. Emërllahu 22-vjeçar ka shënuar tre gola dhe një asistim në 23 ndeshjet e edicionit aktual.

Ai të hënë, në ditën e fundit të afatit kalimtar në Rumani, u transferua nga kampioni i Kosovës te Cluji.

“Bëmë një lëvizje vërtetë të madhe në ditën e fundit të afatit kalimtar. Morëm Lindon Emërllahun nga Ballkani. Ai është ndoshta numri 6 më i mirë që ka ardhur ndonjëherë në Rumani. Kam paguar 700 mijë euro për të, plus 15 % nga transferimi i ardhshëm i takon Ballkanit. Është një futbollist i jashtëzakonshëm . Do të lërë menjëherë gjurmë në lojën e Clujit. Ka pasur edhe lojtarë të tjerë nga Kosova, por Emërllahu është një nga futbollistët më të vlefshshëm që kemi arritur të sjellim”, ka thënë Varga për “GSP”.

Ai pret ndihmën e Emërllahut për ta fituar titullin e kampionit në Rumani.

“Është një transferim që e mbajtëm të fshehtë, sepse donim shumë që ky futbollist të ishte pjesë e Clujit. Ai është një lloj lojtari që bën diferencën dhe që do të na ndihmojë të fitojmë titullin”.

Pronari i klubit rumun ka krahasuar Emërllahun me kroatin e Manchester Cityt, Mateo Kovaçiq.

“Nëse më duhet të krahasasojë me dikë, atëherë ai është si Mateo Kovaçiq i Manchester Cityt”, është shprehur tutje Varga.

Cluji aktualisht ka tre mesfushorë në skuadër.

Pronari i Clujit ka theksuar se Emërllahu ishte kërkesë e trajnerit Dan Petrescu.

“E mora sepse Dan Petrescu e donte shumë dhe dua që ai të jetë i kënaqur me ekipin që ka”.

Emërllahu luan si mesfushor qendre dhe së fundi është ftuar rregullisht nga Kosova. Ai luajti në tri nga gjashtë ndeshjet e edicionit të katërt të Ligës së Kombeve, ku Kosova përfundoi në pozitën e dytë në grupin të cilin e fitoi Rumania.

22-vjeçari me Ballkanin ka tre tituj të kampionit. U shpall futbollisti i vitit 2024 në Kosovë.

Mesfushori ka disa vjet që shquhet me paraqitje. Në vjeshtën e vitit 2023 e pësoi një lëndim të rëndë, ndërsa është kthyer në muajin shkurt.

Te skuadra e Clujit është edhe sulmuesi i krahut, Meriton Korenica. Korenica po ashtu ishte më herët pjesë e Ballkanit.

Nga Ballkani te skuadra e Clujit kanë kaluar më herët edhe Armend Thaqi dhe Ermal Krasniqi.

Në Rumani me shumë sukses është paraqitur edhe Albion Rrahmani, që po ashtu u transferua te Rapid Bukureshti nga Ballkani.

Nga Ballkani te Petrolul Ploiesti ishte trasnferuar Albin Berisha.

Cluji aktualisht është i pesti në kampionatin rumun.