Mesfushori Lindon Emërllahu është i dëshpëruar me humbjen e penalltisë së dytë rresht në garat evropiane kualifikuese për Ballkanin. Ai humbi penallti ndaj UE Santa Colomas dhe të martën ndaj Hamrun Spartansit të Maltës.
Por Emërllahu pret të jetë sërish gjuajtësi i penalltisë eventuale të Ballkanit.
“Kam stërvitur më herët penalltitë. Kam shënuar në rastet kur i kam gjuajtur, por për herë të parë më ndodh që humbi dy penallti rresht. Është një ngërç psikologjik mendoj. Por me gjithë dëshirë do ta merrja rastin të gjuaj dhe të shënoj gol për ta ndihmuar ekipin të kualifikohet tutje”, ka thënë Emërllahu.
Ai insiston se Ballkani meritoi fitoren ndaj kampionit të Maltës.
“Luajtëm më mirë se ndeshjen e kaluar. Na mungoi vetëm goli. Kishim ritëm më të lart se kundërshtari, por na mungoi vetëm goli”, është shprehur Emërllahu.
Ballkani barazoi pa gola ndaj Hamrunit, në ndeshjen e raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Ndeshja e kthimit luhet pas një jave në Maltë.