Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) të premten ka publikuar nominimet për çmimet “The Best”.
Bëhet fjalë për çmimet e FIFA-s për më të mirët e vitit në futboll. FIFA për herë të nëntë shpall më të mirët e vitit. Çmimet kryesore individuale në futboll janë ato për “Topin e Artë”, por edhe çmimet “The Best” kanë rëndësi.
Dy shqiptarë janë në mesin e të nominuarve nga FIFA.
Elena Sadiku është njëra prej tetë kandidatëve për trajner të vitit 2024 në futbollin e femrave. E rritur në Suedi, 31-vjeçarja është trajnere e Celticut në Skoci. E ka udhëhequr Celticun drejt titullit të kampionit në Skoci e më pas drejt fazës grupore të Championsit. Celticu për herë të parë e fitoi titullin e po ashtu për herë të parë është në fazën grupore të Championsit. Dhe për të gjitha këto suksese, Elena Sadiku kandidon për çmimin e trajneres më të mirë të vitit në botë në futbollin e femrave.
Selektori i Brazilit, Arthur Elias, trajnerja e Chelseat dhe më pas e SHBA-së, Emma Hayes, selektori i Japonisë, Futoshi Ikeda, trajneri i Manchester Cityt, Gareth Taylor,trajneri i Barcelonës e ndërkohë i Washington Spirit, Jonatan Giraldez, Sandrine Soubeyrand e Parisit dhe Sonia Bompaster e Lyonit e më pas e Chelseat, janë konkurrentët e Elena Sadikut.
Ndërkohë Granit Xhaka është në mesin e kandidatëve për vend në mesfushën e njëmbëdhjetëshes më të mirë të vitit në futboll sipas FIFA-s.

Votimi është i hapur edhe për publikun, në sajtin e FIFA-s.
FIFA ka përzgjedhur 77 kandidatë për njëmbëdhjetëshen më të mirë. Janë përzgjedhur 22 mbrojtës, 22 mesfushorë, 22 sulmuese dhe 11 portierë.
Votat e publikut në fund do të kenë peshë sa vlerësimi i ekspertëve, sa i takon njëmbëdhjetëshes së vitit.
Për vend në mesfushë të nominuar janë edhe Rodri, Declan Rice, Federico Valverde, Hakan Çalhanoglu, Martin Odegaard, Chrstian Pulisic, Cole Palmer, Fabian Ruiz, James Rodriguez, Toni Kroos, Dani Olmo, Eduardo Camavinga, Jude Bellingham e disa të tjerë.
Për vend në sulm të nominuar janë edhe Cristiano Ronaldo e Lionel Messi, e po ashtu Erling Haaland, Harry Kane, Kylian Mbappe, Jamal Musiala, Lamine Yamal, Vinicius Jr, Rodrygo e yje të tjerë.
Fituesi i “Topit të Artë”, Rodri, është në mesin e kandidatëve për çmimin e më të mirit sipas FIFA-s, “The Best”. Por kandidat është edhe Lionel Messi, që është vlerësuar befasi. Dani Carvajal, Erling Haaland, Federico Valverde, Florian Wirtz, Jude Bellingham, Kylian Mbappe, Lamine Yamal, Toni Kroos, Vinicius Jr janë kandidatët e tjerë. Pritet garë e fortë mes Rodrit dhe Viniciusit. Braziliani e humbi për pak vota garën për “Topin e Artë” dhe kjo bëri bujë.
Gara për trajnerin më të mirë të vitit në futbollin e meshkujve vlerësohet po ashtu shumë e fortë. Kandidatë janë Carlo Ancelotti, Lionel Scaloni, Luis de la Fuente, Pep Guardiola dhe Xabi Alonso.
FIFA e shpall edhe portierin më të mirë, ndërsa të nominuar janë Andriy Lunin, David Raya, Ederson, Emiliano Martinez, Gianluigi Donnarumma, Mike Maignan dhe Unai Simon.
FIFA i ndan edhe disa çmime të tjera.
Për herë të parë Federata Ndërkombëtare ka lejuar votat e publikut për njëmbëdhjetëshen më të mirë të futbollistëve dhe futbollisteve.
Çmimet individuale do të vendosen nga votat e publikut, kapitenët dhe trajnerët aktualë të ekipeve përfaqësuese dhe përfaqësues të mediave.
Votimi për publikun është i hapur deri më 10 dhjetor. Ceremonia “The Best” do të mbahet në janar.
Vjet më i miri u shpall Lionel Messi, që fitoi para Erling Haalandit dhe Kylian Mbappes.